TIRANË- Këtë të shtunë kreu socialist ka zgjedhur t’iu përgjigjet kritikave të opozitës në lidhje me ministren AI 'Diellën'. Rama u shpreh se ata nuk e dinë çfarë flasin, ndërkohë që ka theksuar se Diella tashmë po bën për 2 vite punën që Kroacisë iu deshën 7 vite për ta përfunduar në lidhje me anëtarësimin në BE. Ai tha se Diella do të ketë fëmijët e vetë në vijim, duke e quajtur Inteligjencën Artificiale si bekim të vendeve në zhvillim.
"Kaq e thjeshtë është diferenca. Të gjithë ata që nuk dinë çfarë të flasin, por të gjithë ju dhe e gjithë administrata e ministrive që duhet të angazhohet shumë fort për ta çuar inteligjencën artificiale në çdo skaj. BE po na jep mundësi të mbyllim negociatat në 2027 ku përveç reformave, angazhimeve dhe të gjitha rezultateve na duhet pikërisht inteligjenca artificiale se fizikisht do ishte e pamundur që 4 mijë ligje, akte ligjore të nevojshme për plotësimin e kushteve teknike t’i bënim me përkthyes njerëz. Diella nuk harron asgjë, nuk i ndërhyn askush, nuk ia prish humorin asnjë, nuk fle gjumë, nuk thotë po shkoj të ha ose më hahet prandaj s’po punoj.
Duhet të mendojmë për ndërmjetësimin me Inteligjencë Artificiale të çështjeve civile, që njerëzit mos harxhojnë lekë e kohë nëpër procese të pafundme kur fare mirë mund të kalojnë në procesin e ndërmjetësimit të fëmijëve që Diella do ketë së shpejti. Teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale janë bekimi i vendeve në zhvillim. Sepse bëjmë kapërcime që nuk kurrë nuk do t’i bënim në kushtet e procesit linear”, tha Rama.
Opozita e ka cilësuar si absurde këtë lëvizje të Ramës në kabinetin qeveritar. Madje në seancën e fundit parlamentare që ishte parashikuar të zgjaste 24 orë orë dhe që u mbyll për vetëm 25 minuta, opozita reagoi ashpër kur Rama vendosi që në fjalimin e tij t’ia kalonte fjalën ministres robot Diella./ZËRI