Politikë

Zgjedhjet/ PD: Ku shkuan 130 mijë fletë votimi? Përgjigjet KQZ: Llogarisni edhe të papërdorurat!

Partia Demokratike ka ngritur dyshimet se nga numërimi i votave, 130 mijë fletë votimi për zgjedhësit brenda vendit mungojnë.

k.m.
Zgjedhjet/ PD: Ku shkuan 130 mijë fletë votimi? Përgjigjet KQZ:
Foto ilustruese

TIRANË- Partia Demokratike i është drejtuar sërish Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Sipas kërkesës së depozituar sot, Partia Demokratike ka ngritur dyshimet se nga numërimi i votave, 130 mijë fletë votimi për zgjedhësit brenda vendit mungojnë. Në këto kushte, opozita kërkon nisjen e një hetimi administrativ nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Po ashtu, kërkojnë edhe verifikimin e përmbajtjes së fletëve të votimit në të gjitha kutitë në rang vendi.

KËRKESA E PD:

I nderuar z. Komisioner, Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) shpreh shqetësimin e saj të thellë në lidhje me informacionet dhe të dhënat zyrtare që na janë përcjellë nga KQZ ditën e djeshme, si rezultat i kërkesave tona të përsëritura gjatë procesit të ankimimeve të PD-ASHM në KAS. Shqetësimi ynë lidhet me faktin se, për zgjedhjet e 11 majit 2025, mungojnë më shumë se 130 mijë fletë votimi për zgjedhësit brenda vendit. Më datë 04.04.2025, me vendimin tuaj nr. 407, "Për miratimin e sasisë së fletëve të votimit që do të prodhohen për çdo qendër votimi për zgjedhësit brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025" (bashkëlidhur), në faqen nr. 138. të materialit specifikohet qartë se, në rang vendi, janë miratuar 5.225 Qendra Votimi (QV), 3.467.962 zgjedhës, 66.830 fletë votimi rezervë (që i korrespondojnë 2% rezervë), dhe në TOTAL 3.534.792 Fletë Votimi (FV). Por, sipas të dhënave zyrtare të vetë institucionit që ju drejtoni, rezulton se janë: 3.534.792 fletë votimi të prodhuara, 1.463.204 fletë votimi të gjetura në kutitë e votimit, 1.935.834 fletë votimi të deklaruara si të papërdorura, dhe 5.000 fletë votimi të deklaruara të dëmtuara. Pra, diferenca tregon qartë se mungojnë saktësisht 130.754 (njëqind e tridhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e katër) fletë votimi të papërdorura! Në vijim të sa më sipër, dhe bazuar mbi këto gjetje, kërkojmë: -Nisjen e një hetimi administrativ urgjent nga ana e KQZ-së, si dhe verifikimin përmbajtjes së fletëve të votimit në të gjitha kutitë e votimit në rang vendi (5.225 QV), në përputhje me nenin 160 dhe vijues të Kodit Zgjedhor; -Sqarime të detajuara mbi këtë situatë faktike, me qëllim të tregohen qartë vendndodhja dhe trajtimi i mbi 130.000 fletëve të votimit, pasi nuk përputhen në asnjë mënyrë numri total i fletëve të prodhuara me shumën e votave të gjetura në kuti, plus fletëve të papërdorura plus fletët e dëmtuara. Këmbëngulim që për këto fakte tronditëse, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të veprojë menjëherë dhe në përputhje të plotë me parimin e ligjshmërisë.

Brenda pak orëve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kthyer përgjigje kërkesës së PD. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PD duhet të llogarisë edhe votimin elektronik në Vorë dhe në njësinë administrative nr.10. Por edhe 99,455 fletë votimi të papërdorura.

“Në përgjigje të kërkesës tuaj lidhur me verifikim të menjëhershëm të fletëve të votimit të përdorura për zgjedhjet e datës 11 Maj 2025, ju informojmë se : Numri prej 1,935,328 fletë votimi të papërdorura përfshin vetëm sasinë e raportuar të këtyre fletëve sipas procesverbaleve të çdo QV-je. Këtij numri i duhen shtuar edhe: 27,340 fletët e votimit për 74 QV, ku ështe aplikuar votimi elektronik, ZAZ Nr.27 (Bashkia Vorë) dhe ZAZ Nr. 41 (Njësia Administrative 10, Tiranë). Sikurse mund të kuptohet edhe këto fletë votimi nuk janë përdorur; 99,455 fletë votimi të papërdorura që përbëjnë sasinë e këtyre fletëve për 233 QV, në procesverbalet e të cilave gabimisht është shënuar me “0” numri i fletëve të papërdorura; 5,369 janë fletë votimi të papërdorura por që numrat e tyre në test llogjik vlerësohet se janë pasqyruar me gabime në procesverbalet përkatëse për çdo QV (janë 1,380 QV që kanë raportuar këto të dhëna me gabime)”, thuhet në përgjigjen e KQZ.

Partia Demokratike ka reaguar ashpër pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, ku sipas rezultateve zyrtare siguroi 50 mandate. Demokratët e kanë cilësuar procesin si një farsë elektorale, të shoqëruar me manipulime, presion mbi votuesit dhe përdorim të strukturave shtetërore për qëllime politike. Ndaj edhe kanë nisur një valë ankimimesh pranë të gjitha instancave të KQZ-së. Sipas opozitës, zgjedhjet duhet të konsiderohen të parregullta dhe të zhvillohen sërish parakohe dhe nën "kujdesin" e një qeverie teknike./ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB