
TIRANË- Kreu i Lëvizjes "Shqipëria Bëhet", Adriatik Lapaj, e cila mori një mandat në zgjedhjet e 11 majit, e la të hapur mundësinë se mund të jetë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në një intervistë të dhënë për "ReportTV", Lapaj tha se do t'ia lërë në dorë Kryesisë së partisë "Shqipëria Bëhet" se cili prej kandidatëve do të marrë mandatin e deputetit. Ndaj edhe nuk dha një përgjigje finale.
"Sa kemi marrë ne? 64 268 vota. Me 64 mijë, PS në Vlorë ka marrë 9 mandate ajo që ne po bëjmë është se jemi në proces, dhe do të përgjigjem për këtë ditën që radha e mandatin nga KQZ do të vijë te unë se është një proces që lidhet me kryesinë dhe strukturat tona. Unë kam bërë qëndrim publik që lidhet me faktin se në momentin që lëvizja jonë do të merrte një numër votash që përkthehet në mesataren e një mandati, do të tregonte dështim nga ana ime. Për sa kohe jemi renditur forcë e tretë, këta njerëz duhen përfaqësuar. Gjithsesi për shkak të qëndrimit tim publik, vendimi nuk do të jetë më i imi por i kryesisë. Kjo është një gjë që do të përgjigjemi në vazhdim kur të mbyllet procesi,"- theksoi Lapaj.
Sa i përket përplasjeve me kreun e Partisë "Mundësia", Agron Shehajn, ai tha se nuk ndjen asnjë lloj përgjegjësi, por shtoi se ai është përgjegjës për mungesën e bashkimit të partive të reja në zgjedhjet që lamë pas.
"Ajo që duhet të bëjmë me ndjenjë përgjegjësie këdo që nuk e pranoi, është bashkimi i atyre që konsideroheshin si front i të resë se nuk do të kishte problem nëse do të kishte pasur dy fronte opozitare, por të ishin të përqendruar. Nuk do të kishte vajtur votë dëm, por do të ishim maksimizuar në mandate. Unë luftova bashkë me ekipin 8 muaj, shtrimë dorën sa herë e kam bërë, hajde ta maksimizojmë votën se formula elektorale është e tillë por mora pas baltë dhe sulm më shumë nga këta që konsideroheshin të rinj sesa vetë pushteti. Nuk na ka dëmtuar vetëm ne, por secilin në këtë gjë. Edhe ne, edhe ata. Të gjithë se bashkimi do të krijonte tjetër entuziazëm te qytetarët. Formula do të stimulonte prodhimin e mandateve në masë. Dhe mund të ishin prodhuar numër mandatesh që do të kishte çarë sistemin. Njëra parti 3 deputetë, tjetra 13 apo 15, secili në kuvend do të kishte pozicionin e vet, por është gabim për të cilin nuk ndjej peshë përgjegjësie sepse luftova fort për ta realizuar. Me zor nuk i merrja dot.", përfundoi Lapaj./ZËRI