TIRANË-30 maji shënoi protestën e dhunshme në Zvërnec, ku një qytetar u tërhoq zvarrë. Skena e tmerrshme ndryshoi kursin e ngjarjeve që do të pasonin në ditët më pas, jo vetëm në reagimin publik, ku qytetarët prej 9 ditësh mbushin sheshet e Shqipërisë, por edhe në pikëpamjet politike.
Dita që pasoi pas dhunës, 31 maji u mbulua me reagime nga figura politike të Partisë Socialiste të qarkut të Vlorës dhe jo vetëm, të cilët dënuan aktin, por për opozitën rasti i Zvërnecit kaloi pa u prekur.
Reagimi i parë erdhi më 1 qershor ku kryedemokrati Sali Berisha dënoi aktin e dhunës, por deklaroi se nuk ka dijeni për projektin që pritet të zbatohet aty. Berisha theksoi se Partia Demokartike mbështet investimet e huaja. Edhe nga Kuvendi Berisha deklaroi se prej 13 vitesh Shqipëria nuk ka tërhequr investitorë të rinj të huaj dhe se asnjë tender nuk është fituar nga kompani europiane, duke u shprehur se tani kemi një investitor të huaj.
Veç qëndrimit të PD-së pro projektit, më 3 qershor Berisha kritikoi protestuesit, duke i quajtur hipokritë ata që kërkonin anulimin e projektin në Zvërnec e Sazan.
"Ata që qajnë elegjinë e Sazanit janë një grup hipokritësh. Të derdhin lot sa të duan, se jam marrë direkt, edhe Fatos Nano është marrë. Asgjë nuk prishet aty, o miq, Çudia e Sazanit është kjo… është ajo bimësi e mrekullueshme në një ishull pa ujë. Bimësia do ruhet, pra Sazani është tokë publike. Zvërneci është tokë private në tërësinë e saj. Është e banueshme, dakord, tani ne mbështetëm investimin e huaj,"-u shpreh Berisha.
Qëndrimi nuk ndryshoi deri në 6 qershor, ku kryedemokrati komentoi thirrjet '“Rama në burg, Berisha në burg”. Berisha i quajti vegël e qeverisë qytetarët që bënë këtë thirrje dhe sipas tij ata janë opozitë e opozitës.
Gjithçka ndryshoi brenda një dite!
7 qershor- Kreu i PD u rreshtua krah kërkesave të protestuesve, të cilët kundërshtojnë zbatimin e projektit dhe kërkojnë anulimin e vendimeve të marra nga ekzekutivi. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për mungesë transparence në lidhje me investimin, duke ngritur pikëpyetje mbi procedurat e ndjekura, statusin e pronësisë së tokës dhe ndikimin që projekti mund të ketë mbi mjedisin. Berisha kritikoi edhe qëndrimin e Ramës ndaj protestuesve, duke e akuzuar se po shmang debatin mbi çështjet thelbësore dhe po i paraqet kundërshtarët e projektit si pjesë e skenarëve të nxitur nga faktorë të jashtëm.
Opozita përgatiti edhe paketën e parë të nismave ligjore që lidhen me kushtet e Bashkimit Europian për integrimin e Shqipërisë, bashkë me 5 kërkesat e protestuesve. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi bëri të ditur se nisma e parë parashikon shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, të cilin e cilësoi si simbol të favorizimeve, mungesës së konkurrencës dhe cenimit të interesit publik. Sipas tij, PD do të kërkojë në Kuvend shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, Paketën e Maleve dhe ndryshimet në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Demokratët tashmë janë vendosur krah qytetarëve, ku burime nga strukturat e opozitës bëjnë me dije se në grupet e komunikimit të Partisë Demokratike është shpërndarë një mesazh zyrtar, përmes të cilit mbështetësit ftohen të mblidhen në orën 18:00 përballë Piramidës, pranë stacionit të autobusit, për t’iu bashkuar protestës.
Mbetet për t’u parë nëse prania e opozitës do të ndryshojë kursin e protestës./ZËRI



