TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka drejtuar akuzat ndaj Niko Peleshit, menjëherë pasi ky i fundit u zgjodh kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë. Jashtë sallës së parlamentit, Berisha tha se në këtë institucion u zgjodh një njeri me 5 dosje korrupsioni. Në një prononcim për mediat, Berisha akuzoi Peleshin për përfshirje direkte në aferën e inceneratorëve.
“Sot parlamenti i karteleve operoi në shkelmim të plotë të parimeve kushtetuese dhe Kushtetutës së këtij institucioni. Sot në parlament më të përfaqësuarit e shqiptarëve janë kartelet e drogës më të fuqishmet në Europë, të lidhura me organizata terroriste, kartelet e Amerikës Jugore. Sot në drejtim të parlamentit u zgjodh një njeri me 5 dosje korrupsioni. Niko Peleshi është historia e korrupsionit, është njeriu që ka firmosur akte madhore korruptive për djegësat, qoftë për prodhimin e energjisë në djegësin e Elbasanit dhe djegësin e Elbasanit, akte të cilat e bëjnë atë përgjegjës automatik për dëme kolosale që u ka bërë shqiptarëve.", tha kreu i Partisë Demokratike.
Kreu i demokratëve e akuzoi Peleshin edhe për abuzime me prona publike gjatë kohës kur ka qenë ministër i Bujqësisë. Bersiha e cilësoi Peleshin një ‘qenie amorfe’, e tha se e mori kreun e parlamentit vetëm se ka vjedhur së bashku me Edi Ramën.
“Niko Peleshi është i akuzuar për prona në Kolonjë dhe në zona të tjera, kur ka qenë ministër Bujqësie. Peleshi, të themi të vërtetën, është nga pikëpamja, të themi e konstitucionit, në rrafshin konstitucionalist, jo të Kushtetutës, por të fizikut, ai është një qenie amorfe. Pra, ky njeri në vend që të shkojë atje ku ka vendin, ky merr kreun e parlamentit vetëm e vetëm se ka vjedhur së bashku me Edi Ramën. … Tani jemi për betejë, nuk kemi nevojë për tolerancën e tyre fare. Asnjë nevojë për tolerancën e tyre, ata nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit shqiptar. Ata përfaqësojnë vullnetin e krimit shqiptar, ata përfaqësojnë vullnetin e krimit shqiptar. Përfaqësojnë kartelet e drogës, organizatat kriminale, përfaqësojnë miliardat e vjedhura të qytetarëve shqiptarë”, shtoi Berisha.
Këtë të premte u mbajt seanca konstituive e Kuvendit të ri, të dalë nga zgjedhjet e 11 majit 2025, ku u betuan 138 deputetët e Parlamentit. Pas betimin solemn, në të njëjtën seancë u votua edhe kandidatura e kryetarit të ri të Kuvendit, Niko Peleshi, i cili u propozua nga socialistët gjatë Asamblesë Kombëtare. Pavarësisht bojkotit të opozitës, Niko Peleshi ia doli të zgjidhej kryetari i Kuvendit, pasi grumbulloi 84 vota pro dhe 3 kundër./ZËRI
