Politikë

Opozita bojkotoi votimin, Niko Peleshi zgjidhet kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë: Besimin e dhënë e pranoj me përulësi!

Pas një votimi të fshehtë nga deputetët e pranishëm në seancë, Peleshi u zgjodh për ta drejtuar Kuvendin e Shqipërisë për katër vitet e ardhshme, pasi grumbulloi 84 vota pro, 3 kundër, nga 87 deputetë që morën pjesë në votim.

zh.ll
Opozita bojkotoi votimin, Niko Peleshi zgjidhet kryetar i ri i Kuvendit të
Niko peleshi

TIRANË- Niko Peleshi është zgjedhur kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë. Pas një votimi të fshehtë nga deputetët e pranishëm në seancë, Peleshi u zgjodh për ta drejtuar Kuvendin e Shqipërisë për katër vitet e ardhshme, pasi grumbulloi 84 vota pro, 3 kundër, nga 87 deputetë që morën pjesë në votim.

Peleshi mbajti fjalën e tij përshëndetëse para Parlamentit, teksa e konsideroi postin e tij të ri 'një nder e përgjegjësi të madhe', të cilin e pranon me përulësi. 

“Të dashur qytetarë të Shqipërisë. Të nderuar ambasadorë, përfaqësues të trupit diplomatik, të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare, drejtues të institucioneve të pavarura. Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë. Besimi që më dhatë sot, duke më zgjedhur kryetar të Kuvendit, është një nder e përgjegjësi e madhe, të cilin e pranoj me përulësi dhe përkushtim. Përvoja ime e punës në parlament, dijet dhe energjitë e mia do të vijnë në shërbim të këtij Kuvendi, të Shqipërisë, qytetarëve“, tha ai.

Më tej, Peleshi i shprehu falenderimet Kryeministrit Edi Rama që e propozoi për postin. Peleshi nuk la pa përmendur paraardhësen Elisa Spiropali së cilës i shprehu vlerësime për kontributin e vyer, teksa i uroi suksese në përgjegjësinë e saj të re shtetërore.

"Jam ftuar nga Kryeministri Edi Rama dhe mbështetur më pas nga Partia Socialiste për të kryer këtë detyrë shtetërore të rëndësishme në një moment historik për Shqipërinë. Një moment që do të mbahet mend gjatë, ndaj ndihem dyfish i vlerësuar dhe thellësisht mirënjohës për besimin e dhënë dhe angazhohem për ta kthyer këtë besim në një shtysë për të punuar me përkushtim çdo ditë. Dëshiroj gjithashtu të falënderoj Znj. Elisa Spiropali, për kontributin e vyer, standardin e lartë të punës dhe dedikimin e saj si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë gjatë vitit të fundit të legjislaturës së kaluar. Ndaj i uroj Elises suksese të sinqerta në përgjegjësinë e re shtetërore që e pret.", u shpreh Peleshi.

Ndërkohë, në nisje të votimit për kryetar, opozita bojkotoi procesin. Deputetët e opozitës refuzuan të votonin me fletët e votimit. Në vend të tyre, ata hodhën pankarta të ndryshme ironizuese në kutinë e votimit. Kreu i demokratëve Sali Berisha doli përpara foltores së Kuvendit me një poster 'McGonigal' në dorë, të cilën e hodhi në kutinë e votimit. 

Vetëm pak minuta më herët, përpara se të niste votimi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gament Bardhi deklaroi se kjo shumicë nuk ka legjitimitet, teksa lëshoi akuza dhe ndaj Niko Peleshit. “Kjo shumicë nuk ka legjitimitet për të zgjedhur Kryetarin. Ne nuk marrim pjesë fare në këtë proces”, tha Gazment Bardhi.

Megjithatë, disa deputetë nuk e zbatuan 'rregullin'. Mesila Doda bojkotoi plotësisht procesin, teksa nuk iu drejtua kutisë së votimit. Rregullin e theu edhe Tritan Shehu, që mori fletën e votimit dhe iu drejtua kutisë së fshehtë. Ndërkohë, Ana Dajko, deputetja e “Shqipëria Bëhet”, mori fletën e votimit për të bërë zgjedhjen e saj.

Partia Socialiste, që fitoi zgjedhjet parlamentare të 11 majit, propozoi emrin e Niko Peleshit gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare /ZËRI

Poll

MOS HUMB