
TIRANË- Kreu i koalicionit Euroantlantik, Lulzim Basha ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, ish-prokurorin Arjan Ndoja. Bashaka akuzuar Ndojën për disa vepra penale, mes tyre edhe presion ndaj qytetarëve të votojnë për Partinë Demokratike dhe jo partitë e tjera. Kjo, pasi Ndoja kandidon për deputet në listën e hapur të Partisë Demokratike në Durrës. Basha, shprehet se kandidati demokrat kërcënon votuesit, duke përmendur emra të botës së krimit, për t’i frikësuar ata.
Po ashtu, kreu i kolacionit Euroatlantik, pretendon se Ndoja po kryen korrupsion në zgjedhje për të blerë votat për Partinë Demokratike. Ky është kallëzimi i parë i bërë në SPAK, nga palët politike në lidhje me krimet zgjedhore.
Pas kallëzimit të Bashës, ka reaguar edhe Ndoja duke u shprehur se në asnjë rast nuk ka shitur mandate deputetësh, leje ndërtimi dhe nuk ka shpërdoruar besimin e zgjedhësve të një zone edhe të demokratëve. Ish-prokurori, e cilëson këtë akuzë si të stisur nga një personazh që përdoret në mënyrë komike në batutat folklorike në TikTok-un dhe Ramës.
“Sot mësova nga mediat se Z. Lulzim Basha më paska bërë kallëzim penal në SPAK si një kandidat për deputet i opozitës që u bën presion votuesve për të mbledhur vota! Unë jam Arian Ndoja, i arsimuar në Drejtësi dhe Ekonomi, kam mbaruar Shkollën e Magjistraturës duke marrë titullin Magjistrat Prokuror, kam gradën Doktor i Shkencave Juridike, dhe jam pjesëtar i një familjeje të nderuar intelektuale. Gjatë gjithë jetës time marrëdhëniet me njerëzit i kam ndërtuar vetëm përmes punës, dialogut, respektit dhe mirëkuptimit. Në asnjë rast unë nuk kam shitur mandate deputetësh, leje ndërtimi dhe nuk kam shpërdoruar besimin e zgjedhësve të një zone dhe aq më pak atë të mijëra demokratëve.
Unë nuk i kam hedhur në rrugë anëtarët e Partisë Demokratike dhe as votuesit e kësaj force për t’i dhënë pushtet në tavolinë Edi Ramës. Përtej falsitetit të akuzës së stisur, më lind natyrshëm mendimi se këtë gjë mund ta bëjë dikush që ndien rrezik nga kandidimi im, ose ndonjë personazh që përdoret në mënyrë komike në batutat folklorike në TikTok-un e Edi Ramës. Ajo që e bën edhe më absurde këtë akuzë është fakti që, nga komunikime me anëtarët e simpatizantë të Partisë Demokratike pas marrjes dijeni për këtë kallëzim, më thuhet se Z. Lulzim Basha, edhe pse ka justifikuar 10 vjet humbje në opozitë me vjedhjet dhe presionet e bëra nga Edi Rama, nuk ka marrë asnjëherë iniciativën në një dekadë, si kryetar opozite, të padisë qoftë edhe një personazh apo eksponent të botës së krimit të organizuar për presion, vjedhje apo blerje votash.
Përkundrazi, më thuhet nga strukturat dhe simpatizantët se ai ka përdorur djersën, sakrificat, mundin e madje dhe gjakun e atyre demokratëve që janë përballur me bandat e Edi Ramës vetëm për të rritur vlerat e marrëveshjeve që bën me të! Sulme të tilla vetëm sa më përforcojnë bindjen se Edi Rama ka filluar ta ndjejë erën e humbjes në Qarkun e Durrësit dhe se deri ditën e zgjedhjeve duhet të dedikojmë çdo shqisë, energji dhe mundësi për të rikthyer Durrësin në bastion të demokracisë për realizimin e misionit të Shqipërisë Madhështore! Mbetem i përkushtuar në realizimin e misionit tonë si ekip për ndryshimin e qeverisjes së vendit”, thuhet në reagim.
Kush është Arjan Ndoj
Arjan Ndoji është një ish-prokuror drejtues i akuzës në Durrës, i cili u shkarkua nga procesi i Vetingut për kontakte të papërshtatshme me krimin dhe mungesë aftësish profesionale. Por Ndoji në vitin 2019 i shpëtoi një atenati me armë zjarri, ku vetë mbeti i plagosur kurse shoferi u vra ndërkohë që udhëtonte sëbashku me një nga eksponentët e krimit, "Rumin e Shijakut".
Arjan Ndoj, bashkë me Landi Muharremin (Aleksandër Laho), dhe Andi Maloku ishin duke drekuar në zonën e plazhit në Durrës në 1 nëntor 2019. Të tre, u nisën drejt Tiranës pas drekës dhe në zonën e mbikalimit të Shkozetit, u qëlluan nga një makinë Benz, në ecje, ku dyshohet se ka qenë brenda Redjan Rraja. Për pasojë u plagosën të tre, por në gjendje më të rëndë ishte Andi Maloku, i cili u bë mbrojtja e prokurorit Arjan Ndoji në atentat. Për shkak të plagëve të shumta, ai ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë./ZËRI