TIRANË- I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ndodhet në gjendje të stabilizuar pak ditë pasi përfundoi në urgjencën e QSUT pas shfaqjes së problemeve shëndetësore. Drejtori e Burgjeve ka konfirmuar për Dosja.al., se Dumani u dërgua në urgjencë më 6 shtator në gjendje të pavetëdijshme, por tashmë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
"Aktualisht, gjendja shëndetësore e shtetasit Nuredin Dumani është e stabilizuar. Më datë 6 shtator 2025, ai u shoqërua nga IEVP “Jordan Misja” drejt urgjencës së QSUT “Nënë Tereza”, pas shfaqjes së problemeve shëndetësore. Pas ekzaminimeve dhe konsultave me mjekë specialistë, ai u shtrua në Reanimacionin Qendror të QSUT-së me diagnozën: Gjendje stupor", thuhet në përgjigje për Dosje.al.
Në reagim, Drejtoria e Burgjeve bën me dije se është konsultuar me disa lloje mjekësh, përfshi neurolog, toksikolog dhe kardiolog gjatë shtrimit në QSUT, të cilët rekomanduan që i penduari i drejtësisë të vijonte kurimin për 3 ditë me Ceftriaxone, Omeprazol dhe Enoksiparin.
"Gjatë qëndrimit në Reanimacionin Qendror të QSUT-së, Dumanit iu kryen analiza laboratorike dhe imazherike, si dhe u konsultua me mjekë të fushave të ndryshme: neurolog, toksikolog, kardiolog dhe anestezist-reanimator. Më datë 7 shtator 2025, ai doli nga spitali me gjendje të përmirësuar dhe me rekomandim për vijimin e trajtimit në Qendrën Shëndetësore të Burgut (QSB). Sipas dokumentacionit, nuk u evidentuan probleme të tjera shëndetësore, por iu rekomandua të kryente një EEG dhe të vijonte për tre ditë trajtimin me Ceftriaxone, Omeprazol dhe Enoksiparin. Po më 7 shtator, pasi doli nga QSUT, ai u paraqit në QSB sipas rekomandimeve, por refuzoi shtrimin në Spitalin e Burgut, gjë që është dokumentuar në fletën përkatëse të orës 13:25. Gjendja e tij aktuale është e stabilizuar," vijon emaili nga Drejtoria e Burgjeve.
Të pyetur në lidhje me origjinën e ushqimit të detit që Dumani kishte konsumuar, Drejtoria e Burgjeve theksoi se ushqimi është sjellë nga familjarët e tij. Sipas tyre, më datë 29 familjarët kanë sjellë ushqime që përfshijnë fruta deti, konkretisht karkaleca.
"Nga verifikimet në regjistrat zyrtarë, rezulton se familjarët e tij kanë sjellë ushqime që përfshijnë edhe fruta deti, konkretisht karkaleca, më datë 29 gusht 2025. Ky ushqim është futur brenda rregullave të institucionit dhe është sjellë nga të afërmit e tij", përfundon përgjigja nga Drejtoria e Burgjeve.
I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, përfundoi mbrëmjen e 6 shtatorit në urgjencën e QSUT pasi shfaqi probleme shëndetësore. Fillimisht u aludua se Dumani ishte helmuar nga ushqimi që kishte konsumuar në qeli, dhe krejt papritur kishtë rënë në gjendje të fikti. Pas kryerjes së të gjitha ekzaminimeve nga mjekët e QSUT, mësohet se komplikacionet në gjendjen shëndetësore të Dumanit erdhën pas një krize epileptike, duke shuar kështu dyshimet për një helmim të mundshëm. Pas trajtimit mjekësor, Dumani është rikthyer në qeli. Kjo është hera e dytë që i penduari i drejtësisë shfaq probleme të tilla, ndërsa edhe më herët mjekët e burgut 313 kishin rekomanduar një kontroll më të hollësishëm./ZËRI