TIRANË-Autori i masakrës së ndodhur në Urën Vajgurore në Berat, ku mbetën të vrarë 4 punonjës policie dhe u plagosën 6 të tjerë ka kërkuar pafajësi në Gjykatën e Posaçme. Marashi pretendon se nuk ka gisht në masakrën e Urës Vajgurore të 17 qershorit 1997. Vendimi për fajësinë ose jo të tij do të merret më 26 shtator, teksa SPAK ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë që e dënoi përjetë.
“I bëj thirrje organit hetues të thellohet në hetimin e kësaj ngjarjeje dhe të zbulojë autorët e vërtetë. Nuk kam gisht në këtë ngjarje”,- është shprehur Fran Marashi në sallën e gjyqit.
Fran Marashi akuzohet për ngjarjen e datës 17 qershor 1997, ku u vranë katër punonjës policie dhe u plagosën 6 të tjerë. Pas një mitingu të Partisë Socialiste, forcat e Policisë së Shtetit po ktheheshin në Berat me mjetet e tyre, kur janë qëlluar me armë 150-200 metra larg vilës së Protoduarëve. Dëshmitarët okularë kanë dëshmuar në gjyq se mbi blindin e policisë janë hedhur shishe me lëndë djegëse nga Lek Lorja e Fran Marashi që kanë hipur në tank. Marashi momentalisht ndodhet në Regjimin e Posaçëm “41-bis”./ZËRI
