Politikë

Prag Parlamenti! Rama pret e përcjell ministrat, shtohen Komisionet, Berisha refuzon të çelë seancën

7 komisione do të drejtohen nga PS, ndërsa 4 nga PD.

F.I
Prag Parlamenti! Rama pret e përcjell ministrat, shtohen Komisionet,
Sali Berisha dhe Edi Rama

TIRANË-Teksa pak ditë ndajnë nga fillimi i Parlamentit të ri, ende nuk ka asnjë zhvillim për ekipin që do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme. Në dyert e kryeministrisë u panë sot ministrja për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj, ish-ministri i Financave, Ervin Mete e më vonë edhe ministri i Financave, Petrit Malaj dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku. 

Nga zyrat e qeverisë u pa duke dalë edhe biznesmeni dhe politikani, Begjet Pacolli. Pas ikjes së tij, u larguan edhe ministrat e kabinetit. Në fokus mendohet të jetë përgatitja e Asamblesë së Partisë Socialiste, e cila pritet të jetë forumi më i rëndësishëm politik i PS-së për këtë periudhë, por asnjë detaj nuk u zbulua nga takimet me dyer të mbylluara.

Por nga ana tjetër zhvillime pati rreth Komisioneve parlamentare. Rama ka zhvilluar takime edhe me kryeparlamentaren Elisa Spiropali, kryetarin aktual të grupit socialist, Niko Peleshi, dhe ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ku u vendos që Kuvendi i ri të ketë 11 komisione.

Komisioni aktual i Veprimtarisë Prodhuese do të ndahet në tri komisione, Komisioni për Bujqësinë, Komisioni për energjinë dhe Komisioni për Infrastrukturën, Mjedisin dhe Digjitalizimin. 7 komisione do të drejtohen nga PS, ndërsa 4 nga PD. Po ashtu komisioni Xhafaj do të jetë i përhershëm. Komisioni “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian” pritet të kthehet në një komision të përhershëm, ku do të përfshihen opozita dhe mazhoranca.

Nisja e Kuvendit të ri

Seanca e parë do të jetë thjesht konstituive, pa debat dhe pa agjendë. Ajo drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë, që i takon Sali Berishës, që është 81 vjeç. Por në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, Berisha ka vendosur të refuzojë privilegjin që ia njeh rregullorja e Kuvendit.

“Një parlament jo legjitim nuk mund ta hap kurrë, kurrë. Nuk mund t’i bëj vendit tim një antishërbim të tillë. Harroje. Po të ishte legjitim, me kënaqësi do ta bëja, por ky nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë, sipas të gjitha dokumenteve kombëtare dhe ndërkombëtare,” tha Berisha.

Seanca pritet të hapet nga Tritan Shehu ose Vasil Llajo i PS-së. Më pas Kuvendi verifikon mandatet dhe 140 deputetët e rinj bëjnë betimin. Deputetja më e re është Marjana Koceku, vetëm 24 vjeçe, ndërsa Deputeti më i vjetër mbetet Sali Berisha.

Në ditët në vijiim, pritet që kryeministri Edi Rama të mbledhë Asamblenë Kombëtare të PS-së, që zakonisht e thirr në ditët e fundit të gushtit, për të shpallur qeverinë e re. Me nisjen e Kuvendit, brenda 10 ditësh, Edi Rama duhet të paraqesë në Kuvend programin qeverisës dhe kabinetin e ri, që kalojnë për miratim me 71 vota. Pas votimit në Kuvend, qeveria bën betimin përpara Presidentit të Republikës. Brenda 20 shtatorit, vendi do të ketë Kuvendin dhe qeverinë e re. Kush do të jenë ata, do të duhet të presim edhe pak./ZËRI

Poll

MOS HUMB