TIRANE- Kryeministri Edi Rama ende nuk ka njoftuar asnjë zhvillim për ekipin që do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme. Asambleja e Partisë Socialiste ku tradicionalisht Rama ka njoftuar emrat e ministrave të rinj ende nuk është mbajtur dhe pritet që njoftimi të bëhet ditët në vijim. Ky zhvillim përkon edhe me përgatitjen e 140 deputetëve për të hyrë në Parlament, 72 prej të cilëve janë të rinj dhe ulen për herë të parë në Kuvend.
Në parlamentin e ri, PS do të ketë 83 deputetë, PD, 50 deputetë dhe nga 1 deputetë partitë e vogla si Partia Socialdemokrate, Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe nisma “Shqipëria Bëhet”. Kjo përbërje pritet të sjellë një opozitë më të fragmentuar, por më të zëshme në sallën e Kuvendit.
Si do të nisë Kuvendi? Seanca e parë do të jetë thjesht konstituive, pa debat dhe pa agjendë. Ajo drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë, që i takon Sali Berishës, që është 81 vjeç dhe nëse ai refuzon, seanca do të mbahet nga Tritan Shehu ose Vasil Llajo i PS-së. Më pas Kuvendi verifikon mandatet dhe 140 deputetët e rinj bëjnë betimin. Deputetja më e re është Marjana Koceku, vetëm 24 vjeçe, ndërsa Deputeti më i vjetër mbetet Sali Berisha.
Por me nisjen e Kuvendit, brenda 10 ditësh, Edi Rama duhet të paraqesë në Kuvend programin qeverisës dhe kabinetin e ri, që kalojnë për miratim me 71 vota. Pas votimit në Kuvend, qeveria bën betimin përpara Presidentit të Republikës. Brenda 20 shtatorit, vendi do të ketë Kuvendin dhe qeverinë e re. Kush do të jenë ata, do të duhet të presim edhe pak./ZËRI
