PRISHTINË- Presidenca e Kosovës e ka mohuar se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i kishte ofruar mbështetje presidentes Vjosa Osmani për të garuar për një mandat të dytë në krye të shtetit, duke ia siguruar nënshkrimet e nevojshme për të hyrë në garë.
Shefja e stafit të Osmanit, Learta Hollaj e quajti “gënjeshtër” deklaratën e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, se partia e saj ia kishte ofruar Osmanit 30 nënshkrimet e nevojshme për të garuar, por se ajo e kishte hedhur poshtë mundësinë.
"Presidentja Osmani përgenjështron se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga Lëvizja Vetëvendosje për rizgjedhje si presidente e Kosovës", shkroi në Facebook Hollaj.
“Zonjës Learta dhe zonjës presidente, unë sot ua garantoj votat e Lëvizjes Vetëvendosje. E them publikisht: nëse flasim për nënshkrimet e deputetëve, nëse thuhet se kjo nuk është e vërtetë, unë sot jam e gatshme dhe garantoj në emër të Lëvizjes se do t’i ofrojmë votat për të vazhduar më tej në garë”, u përgjigj Nagavci.
Ajo sinjalizoi që nëse partitë tjera nuk ofrojnë kandidatë për president, në mënyrë që të mbahet seanca, atëherë LVV-ja do të dalë me kandidatin e dytë. Presidentja Osmani ka thënë hapur se e synon edhe një mandat si presidente, por duket se s'ka vota të mjaftueshme. LVV-ja, që e pati kandiduar më 2021 për presidente, tani nuk e ka përmendur emrin e saj, ndërsa partitë tjera kanë përsëritur disa herë se nuk e shohin si figurë unifikuese, pasi ka qenë e njëanshme, në të mirë të LVV-së.
Më herët gjatë ditës, LVV-ja e bëri publike se kandidon zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca për president. Nagavci tha se LVV-ja i ka numrat e mjaftueshëm të deputetëve për t’ua siguruar garimin dy kandidatëve, por, “duke dashur të ofrojë mundësi për bashkëpunim dhe për një garë që u jep mundësi garimi edhe kandidatëve të tjerë”, ajo është e gatshme t’ua ofrojë nënshkrimet partive të tjera për kandidatë tjerë.
“Presim që nesër gjatë ditës, edhe Partia Demokratike e Kosovës edhe Lidhja Demokratike e Kosovës t’i paraqesin kandidatët e tyre”, tha Nagavci për mediat./REL