KOSOVË- Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë punë në Kosovë, ku është pritur fillimisht nga presidentja Vjosa Osmani. Më pas të dy liderët, morën pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet”, dedikuar ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Gjatë fjalës së tij teksa fliste për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Rama deklaroi se Vjosa Osmani është kërcënuar për dy vjet rresht nga prokurorët e Speciales, pasi nuk ka lejuar që shunonin zyrën e institucionit të Presidentit të Kosovës, me qëllim për të gjetur prova për krime lufte kundër njerëzimit.
"Edhe presidentja e Kosovës është kërcënuar; ju nuk e dini, pasi nuk është thënë asnjëherë", deklaroi Rama.
“Tani mund të jetë sekret shtetëror këtu në Kosovë, por nuk është sekret shtetëror për mua. Edhe presidentja e Kosovës është kërcënuar; ju nuk e dini, pasi nuk është thënë asnjëherë. Po e them sot. Presidentja e Kosovës është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidentit të Kosovës se me demek do kërkonin edhe aty provat e krimeve kundër njerëzimit. Kërcënimi i Presidentes ka zgjatur dy vjet, por për nderin e saj dhe nderin e Kosovës, ajo e ka ndaluar një gjë të tillë.“, u shpreh Rama.
/ZËRI