KOSOVË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbërritur paraditen e kësaj të hëne për një vizitë pune në Kosovë, një ditë para 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Kreu i qeverisë shqiptare është pritur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Pas takimit me Osmanin, Rama mori pjesë në promovimin e librit "Kur heshtja flet" nga Ahmet Shala, që i kushtohet gjykimit në Hagë për krime lufte kundër ish-krerëve të UÇK-së dhe padrejtësive që thotë se ata janë përballur gjatë procesit 5-vjeçar.
Rreth orës 15:00, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pritur me ceremoni zyrtare nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i sapokonfirmuar në detyrë.
Policia e Kosovës gjithashtu ka dalë me një njoftim me një plan masash për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes nga pika kufitare Aeroporti si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare së vizitës.
“Më datën 16 shkurt 2026, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë zyrtare, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama. Me këtë rast Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë. Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes nga pika kufitare Aeroporti si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.
Kjo vizitë e kryeministrit Rama vjen një ditë para Ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe ka për qëllim të thellojë bashkëpunimin mes dy vendeve. Nesër, 17 shkurt, Kosova feston Pavarësinë./ZËRI