MALI I ZI- Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Samitin e Liderëve të Procësit të Berlinit, që po zhvillohet në Budva të Malit të Zi. Gjatë fjalës së tij, Rama shprehu kënaqësinë e tij që ndodhet në Malin e Zi, teksa iu referua këtij vendi si një mik që, njësoj si Shqipëria, është në pritje të anëtarësimit në BE.
“Jam i lumtur që ndodhem në Malin e Zi. Është i vetmi shtet, ku ndërsa flet, helikopterët kalojnë mbi kokën tënde. Ndihem mirë që jemi sërish këtu për Procesin e Berlinit. Këtë vit po zhvillohet në këte vend të jashtëzakonshëm. Jam i lumtur të vijoj me miqtë që janë në pritje”, tha Rama.
Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian u mblodhën sot në Miloçer, pranë Budvës, në Mal të Zi, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit.
Në nivel europian dhe ndërkombëtar, në aktivitet morën pjesë ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani, ministri francez për Europën Benjamin Haddad dhe komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos.
I pranishëm ishte edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, i cili komentoi protestat në Shqipëri dhe rajon. Merz nënvizoi se protestat janë mesazh se zgjerimi i bllokut të BE-së duhet të vazhdojë, ndërsa theksoi se dhuna nuk ka qenë dhe nuk është asnjëherë zgjidhje për asnjë situatë.
“Po shohim protesta të cilat po zhvillohen kudo dhe këto protesta po na japin një mesazh të qartë. Ne duhet patjetër të vazhdojmë me zgjerimin e Bashkimit Europian. Dhuna nuk duhet të jetë kurrë përgjigjja dhe nuk duhet të lejohet. Duhet të jemi kundër ndarjeve dhe polarizimit. Nuk duhet të hedhim më shumë benzinë në zjarrin e përçarjeve. Nuk duhet ta lejojmë që ai të kalojë përmes Evropës. Ka thënë janë në kohë të vështira dhe komplekse”, deklaroi ai.ZËRI