TIRANË- Ministria e Mbrojtjes kadalë me një deklaratë zyrtare lidhur me procedurën e blerjes së tre avionëve zjarrfikës. Ministria sqaron se tenderi është zhvilluar në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe se kompania fituese, Aviation Trade Europe S.L. , plotëson të gjitha kriteret ligjore. Në deklaratën publike theksohet se çdo procedurë prokurimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar në fuqi, mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë.
Në reagim Ministria ka hedhur poshtë edhe deklaratat e Partisë Demokratike, e cila u shpreh se kompania AVIATION TRADE EUROPE nuk mund të merrte pjesë në procedura tenderuese pasi është e dënuar në Spanjë për manipulime tenderësh.
“Ministria e Mbrojtjes ka shpallur fituese kompaninë Air Tractor Europe S.L., e cila është përfshirë në vendime gjyqësore në Spanjë që lidhen me manipulimin e tenderëve, dhe korrupsionin në sektorin e avionëve të shuarjes së zjarreve. Vendimet e autoriteteve gjyqësore spanjolle, përveç dëmit korruptiv të paktën 150 milion euro, së bashku me vendimin e gjykatës supreme në Greqi në 2024, pengojnë kompaninë të marrë pjesë në procedura të prokurimit publik në vendet e Bashkimit Europian. Në fakt edhe legjislacioni shqiptar përmban të njëjtat klauzola penalitetesh”, tha Genta Vangjeli, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD.
REAGIMI I PLOTË:
Në lidhje me deklaratën e bërë së fundmi nga Partia Demokratike si dhe qarkullimin në disa portale mbi procedurën e prokurimit për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve, Ministria e Mbrojtjes sqaron opinionin publik se çdo procedurë prokurimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar në fuqi, mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë.
Ministria e Mbrojtjes hedh poshtë pretendimet se bëhet fjalë për një "tender të mbyllur" apo për një procedurë të zhvilluar në kundërshtim me ligjin.
Procedura është zhvilluar si procedurë konkurruese për qëllime ushtarake, në përputhje me legjislacionin shqiptar për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Në garë morën pjesë dy operatorë ekonomikë. Operatori fitues paraqiti ofertën me çmimin më të ulët, ndërsa operatori tjetër u skualifikua pasi nuk plotësonte kriteret ligjore të kualifikimit, kapacitetit ekonomik dhe teknik.
Po aq i pavërtetë është edhe pretendimi se kompania fituese ndodhet nën ndalim për të kontraktuar me administratat publike.
AVIATION TRADE EUROPE, S.L. ka paraqitur certifikatën e regjistrit penal që vërteton mungesën e çdo rekordi penal dhe ruan të drejtën e plotë për të marrë pjesë në procedura publike prokurimi.
Pretendimet e referuara në media lidhen me një çështje tjetër gjyqësore në Spanjë, ku vendimi nuk ka marrë ende formë të prerë dhe është në shqyrtim nga Gjykata e Lartë. Për rrjedhojë, ai nuk prodhon efekte juridike dhe nuk përbën bazë ligjore për përjashtimin e asnjë operatori ekonomik nga procedurat e prokurimit.
Kompania ka vijuar të kontraktojë normalisht me administrata publike të vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë vitet e fundit Ministrinë e Mbrojtjes së Qipros dhe Ministrinë e Brendshme të Malit të Zi.
Investimi për sigurimin e kapaciteteve ajrore për shuarjen e zjarreve është një projekt me rëndësi strategjike për rritjen e sigurisë civile, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, të pasurisë dhe të mjedisit. Për këtë arsye, Ministria e Mbrojtjes mbetet e angazhuar që çdo procedurë të zhvillohet me përgjegjësi të plotë, në respekt të ligjit dhe të interesit publik.