
TIRANË- Kryeministri Edi Rama e ka quajtur një “lajthitje” kërkesën e kryedemokratit Sali Berisha për të protestuar ndaj mbylljes së platformës TikTok. Rama tha se është çmendufri që fëmijët të mos shkojnë në shkollë për të protestuar. Me ironi, kryeministri tha se gratë duhet të mbajnë në shtëopi burrat demokratë më 11 maj dhe jo fëmijët për të mos shkuar në shkollë.
“Një thirrje për të gjithë fëmijët për të mos shkuar në shkollë. U ftuan nga Kujtim Gjuzi që të mos shkojnë në shkollë dhe prindërit që të mos i lënë fëmijët të shkojnë në shkollë dhe të shfaqin madhështinë e marrëzisë për të protestuar se pse do të mbyllet TikTok. Kjo është një mënyrë që nuk ka nevojë për asnjë koment, argumentim, fjalë më tepër, por që në vetvete iu thotë në radhë të parë të gjitha nënave, socialiste apo demokrate, me parti apo jo, në Shqipëri, Greqi…që nga çfarë duhet të ruhen në 11 maj dhe çfarë duhet të kenë parasysh me 11 maj se në 11 maj kush voton duhet të ketë parasysh se ka në dorë të bëjë dy gjëra, ose t’i japë mbështetje Shqipërisë për të vazhduar negociatat me BE në një kalendar super ambicioz që mbyllet në 2027, ku 1 mijë veta, shumica gra, edhe procesin e anëtarësimit tonë e drejtojnë dy vajza, pra 1 mijë veta që janë ulur atje dhe nuk duhet të humbin asnjë minutë, ose votën ta përdorim për ta hedhur në kënetë. Kjo është shumë e qartë. Lajthitja e madhe e thirrjes për të mos shkuar në mësim dhe prindërit për t’i mbajtur fëmijët në shtëpi sepse do të mbyllet TikTok tregon se sa rreziqe të tjera mund të presim nga një mendje e ikur për terital. Unë besoj në radhë të parë te qetësia dhe mençuria e grave. Unë jam shumë krenar për këtë. Nuk është e rastit se PS e votojnë më shumë gratë sesa burrat", tha Rama.
Berisha kërkoi që të hënën të bojkotojnë orën e parë të mësimit, si shenjë revolte për mbylljen e aplikacionit "TikTok". Por plani iu "prish" sepse gazetarët e njoftuan se e hëna është ditë pushimi. Megjithatë, protesta u shty për të martën.
Më shumë se dy muaj pas njoftimit, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për mbylljen e TikTok për 1 vit në Shqipëri. Mbyllja e platformës u njoftua nga kryeministri Edi Rama në 21 dhjetor, pas një konsultimi publik. Shkak i nismës u bë vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, pasi një grup nxënësish u përfshinë në sherr me thika pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë më 18 nëntor 2024. Sa i përket vendimit, TikTok ka deklaruar se nuk ka prova që incidentet e dhunshme të përmendura janë të lidhura drejtpërdrejt me platformën e tyre./ZËRI