
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha bëri thirrje për të gjithë studentët dhe prindërve që të marrin nesër pjesë në protestën e organizuar. Berisha e qajti këtë një protestë anticensure, kundër ndalimit të fjalës dhe mendimit të lirë. Sipas tij, mbyllja e platformës “TikTok” shkel Kushtetutën. Kryedemoktrati ftoi të gjithë të rinjtë të mblidhen nesër, duke thënë se kjo është protesta e tyre.
Më tej, ai shtoi se do të jetë edhe vetë prezent, por nuk do të flasë. Berisha tha se nesër do të flasin të rinjtë, pasi është e drejta e tyre kundër censurës. Ndërsa, tubimi do të mbahet tek Kryeministria.
"Çështja e dytë që dua të sjell sot, thirrja ime këtë ditë feste për të gjithë gjimnazistët, për të gjithë studentët, për të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare, për të gjithë të rinjtë, por edhe prindërit, të bashkohen nesër në protestën e madhe anticensurë. Një tiran i barabartë me Habitullahun e Kabulit, i njëllojtë me Ajatollahun e Teheranit, një intolerant ndaj fjalës së lirë dhe mendimit të lirë, duke shkelur Kushtetutën, duke shkelur ligjin dhe konventat universale të të drejtave të njeriut, i vuri gërshërët TikTokut, duke firmosur në këtë mënyrë aktin më të rëndë të censurës që nga diktatura komuniste, që rrethonte vendin me zhurmues kundër radiove dhe televizioneve të vendeve të tjera. Një goditje e rëndë shumë për fjalën e lirë, mendimin e lirë, të drejtën e komunikimit. Një akt i ngjashëm shumë me firmën që Kristaq Rama, babai biologjik i Edi Ramës, vendosi më 10 gusht të vitit 1988 për të varur në litar poetin disident Havzi Nela. Nesër është një ditë ku ne të protestojmë që të gjithë për fjalën e lirë. Të protestojmë kundër censurës. Të protestojmë kundër një qeverie të korruptuar që kërkon të kontrollojë informacionin që marrin qytetarët. Në dekadat e mia në diktaturë, gjëja që urreja më shumë ishte censura, fondet rezervë të bibliotekave, të cilat mund të shfrytëzoheshin vetëm me autorizime speciale, se përndryshe nuk i prekje dot me dorë.
Kurse Edi Rama tejkaloi edhe këtë dhe censuron TikTokun, mjetin aktualisht më modern të komunikimit. Bazuar fund e krye në intolerancën e tij ndaj kritikave që i bëhen në këtë mjet. Garantoj të gjithë shkollarët e Shqipërisë, nxënësit e shkollave 9-vjeçare, gjimnazistët, studentët dhe të tjerët, se me datën 12, TikTokun do e kenë në telefonat e tyre, në kompjuterat e tyre dhe do ndëshkhet rëndë për veprën antikushtetuese një megakrim i përmasave gjigante, Edi Rama për këtë akt të tij. Ndaj dhe të lëmë çdo gjë në respekt të fjalës së lirë dhe të lirisë, të protestojmë nesër në ora 7 në sheshin Skënderbej të Tiranës, të mblidhemi nga e gjithë Shqipëria. Veçanërisht të rinjtë. Kjo është protesta juaj. Nesër fjala do jetë e juaja. Nesër fjala e lirë do u ketë ju kalorësit mbrojtës të saj. Ndaj dhe të mblidhemi të gjithë në mbështetje të tyre në kërkesën që kanë.
Do jem pjesë. Nuk jam unë maestro i Tik Tokut, janë të rinjtë. Ata janë frymëzimi, unë aty do të jem ti mbështes, por fjalën e kanë ata, ata do flasin se janë anti censurë. Tek kryeministria. Protesta është tek kryeministria, para ndërtesës së tiranit, të habitullahut të Tiranës", tha Berisha.
Njoftimi i Berishës vjen pas vendimit të qeverisë, për mbylljen e platformës “TikTok”. Më shumë se dy muaj pas njoftimit, Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për mbylljen e TikTok për 1 vit në Shqipëri. Mbyllja e platformës u njoftua nga kryeministri Edi Rama në 21 dhjetor, pas një konsultimi publik. Shkak i nismës u bë vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, pasi një grup nxënësish u përfshinë në sherr me thika pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë më 18 nëntor 2024. Sa i përket vendimit, TikTok ka deklaruar se nuk ka prova që incidentet e dhunshme të përmendura janë të lidhura drejtpërdrejt me platformën e tyre./ZËRI