
VLORË- Drejtues Politik i Partisë Socialiste në Vlorë, Bledi Çuçi, në një shkresë drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në shkresë kërkohet që të shtyhet orari i mbylljes së disa qendrave të votimit në këtë qark. Kjo për shkak se Çuçi shprehet se arsyeja është aktiviteti i sportiv ndërkombëtar “Giro D’Italia”, që zhvillohet në Vlorë ditën e zgjedhjeve, më 11 Maj. Sipas Çuçit, ndalimi i qarkullimit në 14 akse kryesore rrugore në qytetin e Vlorës mund të ndikojë në aksesueshmërinë e 55 qendrave të votimit të kësaj Bashkie. Ndaj për të zgjidhja është shtyrja e orarit të votimit.
“Bazuar në këtë informacion dhe duke vlerësuar se lëvizja e qytetarëve drejt këtyre qendrave mund të jetë e vështirësuar apo e pamundur për një pjesë të ditës, kërkojmë që për të gjitha këto qendra të shtyhet orari i votimit deri në orën 22:00,”-thuhet ndër të tjera në shkresë.
KËRKESA E PS VLORË:
Në vijim të komunikimit me Bashkinë e Vlorës, ju informoj se në datën 11 Maj 2025, në territorin e kësaj Bashkie do të zhvillohet aktiviteti sportiv ndërkombëtar “Giro D’Italia”. Masat e ndërmarra për organizimin e këtij eventi do të përfshijnë bllokimin e 14 akseve kryesore rrugore në qytetin e Vlorës dhe zonat përreth, shumica e të cilave do të qëndrojnë të bllokuara për më shumë se 4 orë.
Sipas informacioneve të marra nga Bashkia e Vlorës, bllokimi i këtyre akseve rrugore do të ndikojë në aksesueshmërinë e 55 qendrave të votimit të kësaj Bashkie. Në përgjigje të kërkesës për informacion, Bashkia e Vlorës na ka vendosur në dispozicion një listë të detajuar të akseve rrugore që do të bllokohen dhe qendrave të votimit të cilat do të afektohen nga ky bllokim, të cilën mund ta gjeni bashkëlidhur kësaj shkrese”, thuhet në kërkesën e PS.
Për shkak të kufizimit të lëvizshmërisë për më shumë se 4 orë në 14 akse kryesore në Bashkinë Vlorë, socialistët thonë se do të pengohet ushtrimi i të drejtës votës për shumë qytetarë dhe për këtë kërkon shtyrjen e orarit të votimit nga ora 19:00 deri në 22:00
“Bazuar në këtë informacion dhe duke vlerësuar se lëvizja e qytetarëve drejt këtyre qendrave mund të jetë e vështirësuar apo e pamundur për një pjesë të ditës, kërkojmë që për të gjitha këto qendra të shtyhet orari i votimit deri në orën 22:00. Vlerësojmë se kjo shtyrje e orarit është e domosdoshme për të garantuar ushtrimin e së drejtës kushtetuese për të votuar dhe për të siguruar një proces zgjedhor të papenguar, ku çdo qytetar të ketë mundësi për të ushtruar të drejtën e tij për të zgjedhur.
Por Partia Demokratike kundërshton kërkesën e PS paraqitur në KQZ për shtyrjen e orarit të votimit në disa qendra në qytetin e Vlorës, për shkak të zhvillimit të aktivitetit sportiv “Giro d’Italia”. Në një shkresë dërguar komisionerit Ilirjan Celibashi, PD shprehet se është kategorikisht kundër këtij propozimi. Në shkresën e depozituar në KQZ, opozita pretendon se zgjedhjet nuk mund të përshtaten me orarin e propagandës qeveritare.
"Është procesi zgjedhor që duhet të ketë përparësi absolute. Nëse aktiviteti sportiv bie ndesh me rregullsinë e zgjedhjeve, atëherë përgjegjësia bie mbi organizatorët dhe jo mbi qytetarët apo institucionet zgjedhore. Për më tepër, një ndërhyrje e tillë e kërkuar nga PS vetëm pak orë para zgjedhjeve, cënon besueshmërinë e procesit dhe krijon precedent të rrezikshëm për të ardhmen. Kjo nuk është thjesht një çështje orari – është një çështje parimi dhe standardi demokratik. PD–ASHM kërkon me forcë që kërkesa e PS të mos merret në konsideratë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Çdo vendimmarrje në këtë drejtim do të konsiderohej nga ana jonë si një ndërhyrje e papranueshme në barazinë e garës dhe një minim i rëndë i integritetit të zgjedhjeve jo vetëm në qytetin e Vlorës, por në të gjithë qarkun,"-shkruhet ndër të tjera në reagimin e PD.
Reagimi i PD:
I nderuar z. Celibashi,
Duke iu referuar kërkesës së paraqitur nga Partia Socialiste për shtyrjen e orarit të votimit në disa qendra në qytetin e Vlorës, për shkak të zhvillimit të aktivitetit sportiv “Giro d’Italia”, ju informojmë se Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD–ASHM) është kategorikisht kundër këtij propozimi. Ky aktivitet, i organizuar nga vetë qeveria aktuale në ditët më kritike të fushatës zgjedhore, përfshirë ditën e heshtjes dhe tani edhe ditën e zgjedhjeve, ka karakter të qartë propagandistik dhe shërben më shumë për qëllime elektorale dhe promovimi. Të shpenzosh mbi 7 milionë euro nga fondet publike për një shfaqje të tillë, dhe më pas të kërkosh edhe shtyrje të orarit të votimit për t’ia përshtatur axhendës së kësaj ngjarjeje, është një abuzim i papranueshëm me procesin zgjedhor.
Duhet shtuar se për dy ditë me radhë është ndaluar lëvizja e lirë në territorin e Tiranës, janë pamundësuar aktivitetet politike të opozitës dhe i është mohuar e drejta kushtetuese subjekteve politike për të komunikuar me qytetarët në ditët vendimtare të fushatës. Ky precedent shkel parimet themelore të një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor. Qëndrimi ynë është i qartë: zgjedhjet nuk mund të përshtaten me orarin e propagandës qeveritare. Është procesi zgjedhor që duhet të ketë përparësi absolute. Nëse aktiviteti sportiv bie ndesh me rregullsinë e zgjedhjeve, atëherë përgjegjësia bie mbi organizatorët dhe jo mbi qytetarët apo institucionet zgjedhore. Për më tepër, një ndërhyrje e tillë e kërkuar nga PS vetëm pak orë para zgjedhjeve, cënon besueshmërinë e procesit dhe krijon precedent të rrezikshëm për të ardhmen. Kjo nuk është thjesht një çështje orari – është një çështje parimi dhe standardi demokratik. PD–ASHM kërkon me forcë që kërkesa e PS të mos merret në konsideratë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Çdo vendimmarrje në këtë drejtim do të konsiderohej nga ana jonë si një ndërhyrje e papranueshme në barazinë e garës dhe një minim i rëndë i integritetit të zgjedhjeve jo vetëm në qytetin e Vlorës, por në të gjithë qarkun.
Pavarësisht pretendimeve, KQZ ende nuk ka marrë asnjë vendim./ZËRI