
TIRANË- Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me përfaqësuesen e Lartë e BE për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, u pyet për qëndrimin e tij ndaj tarifave të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump. Kryeministri tha se nuk është i shqetësuar për tarifat e vendosura. Rama u shpreh se qasja e Shqipërisë ndaj kësaj politike të re të administratës Trump është “e thjeshtë dhe komode për vetë pozicionin tonë, volumin e tregtisë që kemi me SHBA”.
“A ka negociata mes Shqipërisë dhe administratës Trump”, u pyet Rama në konferencë.
“Unë nuk kam asnjë koment për këtë, nuk kemi asnjë shqetësim lidhur me atë temë. Qasja jonë ndaj gjithë kësaj politike të re që po bëhet me tarifat është qasje e thjeshtë dhe komode për vetë pozicionin tonë, volumin e tregtisë që kemi me SHBA. Nëse i referoheni tabelës së tarifave të shpallura nga salla ovale nuk kemi arsye të kemi asnjë shqetësim”, tha ai.
Ndaj Shqipërisë është vendosur tarifë prej 10%. Tarifa e përgjithshme do të aplikohet mbi të gjitha eksportet drejt SHBA-së, përfshirë produkte si tekstilet, veshjet dhe produktet bujqësore që eksportohen në sasi të kufizuara./ZËRI