TIRANË-Silva Caka, ish-deputetet e Partisë së Lirisë dhe një nga njerëzit e besuar të Ilir Metës ka kaluar në radhët e qeverisë së re të kryeministrit Edi Rama. Caka është emëruar zv.ministre e Brendshme, një post ky i cili nuk është pritur aspak mirë nga Partia e Lirisë.
Zëdhënësja e Presidentit te Partisë se Lirisë, Jasmira Memelli, përmes një reagimi në rrjetet sociale, shkuan se Silva Caka ishte larguar nga PL për të ndjekur Shkollën e Magjistraturës, por rezultoi sipas tyre, diçka tjetër. Memelli krahas reagimit të ashpër ka publikuar edhe një video të ish-deputetes, Caka e cila e ftuar në një studio televizive flet për ata të cilët asakohe u larguan për tu bashkuar me Ramën. Ish-deputetja shprehej për të larguarit se “kanë gjetur veten te Edi Rama me aferat korruptive”.
“Ç’të them. Të gjithë emrat që sot janë larguar, dikur nga ai që sot i ka rekrutuar, janë akuzuar. Kështu që mbase ka marrë të përshtatshmit e vetë, kanë gjetur veten aty me Edi Ramën, me të gjitha ato aferat e tij korruptive. Unë mendoj që thjesht, andej nga anët e mia i thonë që ka gjetur tenxherja kapakun”, shprehej dikur Silva Caka.
View this post on Instagram
REAGIMI:
Kur dikush zgjedh të braktisë vlerat e Lirisë dhe Demokracisë për një karrige të pa vlerë në Qeverinë e krimit dhe të korrupsionit, nuk largohet nga Partia e Lirisë, por nga morali, integriteti dhe parimet. Nuk ndalojmë askënd të lëpijë atë që ka pështyrë, apo të pështyjë fytyrën e vet. As të nëpërkëmbë edhe gjakun e familjes të derdhur për vlerat e shenjta të Lirisë. Këto janë zgjedhje personale, që flasin më shumë se çdo fjalë. Ka mbi një vit që S.C ka dhënë dorëheqjen për të ndjekur gjoja Shkollën e Magjistraturës, që në fakt rezultoi aplikim për në "Shkollën" e Korrupsionit, Krimit dhe Vesit.
Partia e Lirisë është më e vendosur se kurrë në mbrojtjen dhe jetësimin e kauzave të saj madhore ekzistenciale kombëtare, për të vazhduar pa kompromis luftën parimore dhe patriotike, krah për krah me opozitarët e vërtetë dhe me të gjithë shqiptarët e ndershëm, për t'i shkurtuar ditët regjimit kriminal të Edi Ramës që ka shpopulluar vendin dhe po rrjep pa mëshirë popullin me korrupsionin skizofrenik.
Silva Caka aktualisht është këshilltare në Bashkinë e Tiranës, ku ka braktisur radhët e opozitës, duke iu bashkuar socialistëve. Ish-deputetja e PL zëvendëson ish-zv.ministrin Andi Mahila, i cili u shkarkua nga detyra disa ditë më parë me urdhër të ministres së re Albana Koçiu./ZËRI