SLLOVENI-Kryeministri Edi Rama ndodhet në Slloveni, ku po merr pjesë në Edicionin e 20-të të Forumit Strategjik të Bled-it. Rama ka komentuar situatën e Bashkimit Evropian me një metaforë, duke e krahasuar unionin si “pacientë me 27 mjekë”. Sipas tij, Europës i duhet të vendosë nëse do të thellojë integrimin për t’u bërë një entitet i ngjashëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo “do të shpërbehet në copa të ndryshme se gjithsecilin se sateliti i kujt do të bëhesh”.
Edi Rama: Europa është si një pacient me 27 mjekë, të gjithë patologë që mund të trajtojnë problemet që mund të ketë cdo organ. Dua tu them atyre që janë brenda në BE që të jenë më të lumtur, sepse është një vend shumë i mirë, për të gjithë ata që janë aty. Problemet në Evropë nuk lidhen me faktin që Evropa është një bashkim duhet të jetë më i fortë dhe që shumë gjera duhet të ndryshojnë. Këta patologët duhet të specializohen, për të pasur një bashkim tërësor që kujdeset për të gjithë organizmin e pacientit, në të kundërt do kemi një rënie të pashmangshme. Mendoj se problemi që ka Evropa është se çfarë drejtimi do të marrë. Do të thellohet në rrugën e saj për tu shndërruar në SHBA apo do të shpërbehet në copa të ndryshme se gjithsecilin se sateliti i kujt do të bëhesh, sepse nuk ka shans që të ndahesh dhe të dalësh nga ky klub i madh dhe pastaj të kesh ndonjë histori të lavdishme përveçse të bëhesh sateliti i dikujt tjetër. Nga ana tjetër Evropa është makineria më e jashtëzakonshme burokratike e administratës, që mund të jetë një gjë e mirë nga ana tjetër, po nga ana tjetër hartimi i tepruar i rregulloreve edhe përpara se diçka të nisë, në Amerikë psh shpikin OpenAI, ndërsa në Evropë shpikin rregulloren që dikush të vijë të shkojë në të njëjtën drejtim. Kjo e bën Evropën më të vështirë si mjedis për biznesin.
Kryeministri Edi Rama theksoi edhe një herë nga Forumi Strategjik i Bledit se, Shqipëria i ka të qarta objektivat për të mbyllur negociatat me Bashkimin Evropian deri në vitin 2027. Rama tha se nuk ka vend për nxitim, e megjithatë shprehu bindjen e plotë që në fund, Shqipëria do të mund të “martohet” me BE-në.
“Ne nuk po themi që jemi gati për 2027, por kemi objektiva të qarta të hedhura në tryezë nga Komisioni që na sfidojnë të realizojmë të gjitha piketat dhe të gjitha kriteret që t’i përmbyllim negociatat deri në 2027. Po shtyjmë përpara dhe nuk po bëjmë pyetje. Gjëja më e mirë për të bërë me BE është të jesh i lirë kur flet në Bled, por pastaj të thuash ‘po’. Në qoftë se e ngatërron Bledin me Brukselin, atëherë ke shkuar për dreq. Në qoftë se nuk do, atëherë në Bled vjen të ndash vizionin dhe pastaj shkon në Bruksel dhe të jesh një student shumë i zellshëm. Dua të them që s’ka vend për nxitim, sepse besoj që pjesa më e rëndësishme për Shqipërinë është të përdorësh procesin e anëtarësimit si proces shtetndërtimi. Europa është bekim për vende si ne sepse është vendi vetëm ku mund të marrësh dijeni si ndërtohen institucionet. Është procesi më i vështirë. Dhe këtu është dallimi me Afganistanin, Irakun. Miqtë tanë nga ana tjetër e oqeanit kanë menduar se me bomba mund të ndryshosh një vend, por nuk është kështu. Dolëm nga një vend i ngjashëm me Irakun sa i përket mungesës së lirisë. Europa është të na mësojë si të vendosim semaforët. Ne kemi bindjen e plotë që në fund do të martohemi. Siç thotë edhe Marta, unë them që bazohet në martesë, ajo thotë bazohet në meritë, kështu që na duhet të meritojmë martesën”, deklaroi Rama.
Nga Forumi i Bledit në Slloveni ku u diskutua për zgjerimin e BE-së, kryeministri Rama zbuloi dhe arsyen e triumfit së PS në zgjedhjet e 11 majit. Zotimi për anëtarësimin në BE, është sipas Ramës, arsyeja kreysore pse Partia Socialiste arriti të fitonte aq thellë në zgjedhjet e 11 majit.
“Ne jemi të përkushtuar dhe nuk besoj se ka vend tjetër në Europë ku mund të zhvillosh një fushatë zgjedhore me BE-në. Arsyeja që fituam kaq thellë ishte e lidhur me zotimin për anëtarësimin në BE dhe të gjithë të mblidheshim rreth flamurit për ta sjellë në BE. Dikush nga Sllovenia më tha që po ecni shumë mirë, por kujdes nga ajo që dëshironi, kjo ishte ajo që mu tha në një sallë tjetër, jeni në një pozitë kaq të mirë në Slloveni. Por ka diçka që nëse ju mundim, është opzitmizmi, ju jeni të depresionuar këtu. Në Shqipëri ka kaq shumë gjëra që duhet ti përmirësojmë”, u shpreh Rama.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë Forumit të Bledit në Slloveni u shpreh me optimizëm për rrugën e Shqipërisë në BE. Kos theksoi se nëse qeveria vijon reformat, anëtarësimi do të jetë realitet në 2029.
“Kemi çelur dy grupkapituj të tjerë me Shqipërinë dhe kemi rënë dakord me Edin që do të festojmë, së pari në Bruksel dhe së dyti vitin tjetër me ndeshjen e futbollit mes vendeve anëtarë dhe vendeve kandidate në Tiranë dhe ku kuptohet që Presidenti i UEFA-s do të luajë me ne, e po kështu ca të tjerë. Në 2028-ën mund, të kemi 28 anëtarë. Dhe nëse Edi vazhdon të bëjë atë që po bën në mënyrë të shkëlqyer, atëherë në 2029-n mund të kemi 29 anëtarë. Megjithatë, unë nuk kam shumë kohë, kam vetëm katër vjet, kështu që shpejtoni. Me Malin e Zi po ecim përpara dhe është e mundur në qoftë se përfundojmë në 2026 në aspektin teknik të bisedimeve, në 2028 mund të kemi 28 anëtarë të BE. Dhe në qoftë se Edi vazhdon të bëjë atë që po bën në mënyrë të shkëlqyer, atëherë në 2029 mund të kemi 29 anëtarë. Kështu që shpejtoni”, tha Kos.
Forumi Strategjik i Bledit organizohet në një moment kur Sllovenia është votuar si anëtare e përkohshme e KS të OKB-së për periudhën 2024-2025 dhe me këtë rast do të shprehet edhe përgjegjësia e Sllovenisë për ushtrimin e detyrave që burojnë nga ky fakt. Kryeministri është i shoqëruar në këtë forum nga ministri i jashtëm Igli Hasani dhe ministrja e shtetit Kundër Korrupsionit Adea Pirdeni./ZËRI