TIRANË- Partia Demokratike (PD) do të ankimojë vendimin e Komisionit Rregullator për rezultatin e zgjedhjeve 2025. Kjo është hera e parë në historinë e zgjedhjeve që një subjekt politik bën një ankimim të tillë. Ankimimi ndjek të njëjtën rrugë, në Kolegjin Zgjedhor.
Kjo lëvizje e PD-së, sjell një tjetër shtyrje të rezultatit përfundimtar. Deri në vendimin e gjykatës, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, nuk mund të dekretojë datën kur do të mblidhet Parlamenti i ri. Ndërkohë që sipas Kodit Zgjedhor, gjykata ka 10 ditë afat për t’u shprehur në lidhje me ankimimin e Partisë Demokratike, por ky është afati maksimal që parashikon ligji.
Më 28 gusht, Komisioni Rregullator (KRR) shpalli rezultatin përfundimtar, duke certifikuar zgjedhjet e 11 majit. Kështu Partisë Socialiste i certifikohet rezultati i 83 mandateve, Partia Demokratike me 50 mandate, Partia Social Demokrate me 3 mandate, Partia Mundësia me 2 mandate dhe Nisma Shqipëria Bëhet, 1 mandat. Miratimi i rezultatit nga Komisioni Rregullator do të pasohet më pas me mbledhjen e parë të Kuvendit.
Ndërkohë, siç bënë me dije më herët burimet për ZËRI, në datën 11 shtator, kryeministri Edi Rama do të mbledhë Asamblenë Kombëtare e do të shpallë qeverinë me të cilën do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme. Në Asamblenë e 11 shtatorit pritet gjithashtu të shpallen edhe emrat për postet e rëndësishme politike si zëvendëskryeministri, kryetari i Kuvendit dhe kreu i Grupit Parlamentar të PS./ZËRI

