Politikë

Rama shpall zgjedhjet e parakohshme në Tiranë, Veliaj shkarkohet brenda 7 ditësh: Nuk e kam të lehtë

Sipas Ramës, kandidatja më e duhur për Bashkinë e Tiranës është Ogerta Manastirliu

E.K
Rama shpall zgjedhjet e parakohshme në Tiranë, Veliaj shkarkohet
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama i ka hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës, ku i kërkoi këshillit shkarkimin e Erion Veliajt, brenda 7 ditëve të ardhshme. Rama tha se ky nuk është një vendim i lehtë, megjithatë qytetarët e Tiranës meritojnë që të kenë një kryetar.

Rama: Pas 7 muajsh Tirana nuk ka ende një kryrebashkiak të zgjedhur, dhe as një kryebashkiak të dënuar. Kemi një kryebashkiak që i është mohuar gjykimi në liri, i është bërë një gjykim në Pazar të hapur, janë nxjerrë nga ato tezga biseda me familjarët nga telefoni i burgut. Është shkelja më brutale, në shpërdorim total të detyrës nga ata që duhet të mbajnë nën kontroll dosjet. Por nuk i dihet sa do të zgjasë kjo histori.

Tirana ka punë të mëdha dhe të panumërta, nuk i heq asnjë meritë kryetares në detyrë për sa ka bërë në këto 7 muaj, sot ne duhet të marrim një vendim politik për ti hapur rrugë zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës. Përfaqësuesit tanë në këshillin bashkiak duhet të vënë në punë mekanizmin e shkarkimit të kryetarit të zgjedhur. Nuk është një propozim që unë e bëj me zemër të lehtë, prandaj i kuptoj të gjithë ata që mund të mos ndihen mirë nga një vendim i tillë, por Tirana nuk mund të zgjohet dhe të ngryset pa kokë, qytetarët nuk duhet të presin as 7 ditë për të marrë vesh çdo bëhet me drejtimin e tyre. Ogerta Manastirliu është kandidatja që i duhet Tiranës.

Manastirliu, e cila deri tani mbante postin e Ministres së Arsimit, do të jetë zyrtarisht kandidatja e socialistëve, për Bashkinë më të rëndësishme të vendit./ZËRI 

Poll

MOS HUMB