Politikë

Hetimet për vilën në Qerret/ Veliaj tregon pse shkonte në Kavajë, sulmon prokurorin Dado

Kryebashkiaku Veliaj shkruan SPAK ka dalë në përfundimin se shtëpia në Qerret është e tija, nga qelizat e telefonit.

k.m.
Hetimet për vilën në Qerret/ Veliaj tregon pse shkonte në
Fotoja e shpërndarë nga Erion Veliaj

TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar sërish nga burgu. Sërish duke sulmuar një nga prokurorët e çështjes së tij, Ols Dadon, Veliaj shkruan se provat që ka gjetur për të ngritur akuzë ndaj tij nuk qëndrojnë. Në postimin e sotëm në rrjetet e tij sociale, kryebashkiaku Veliaj shkruan SPAK ka dalë në përfundimin se shtëpia në Qerret është e tija, nga qelizat e telefonit.

"Telefoni im rezulton të ketë lëshuar sinjal 87 herë në zonën Kavajë, Lekaj, Golem, Harizaj, Mali i Robit, Gosë, Synej, gjatë muajve prill-maj 2023,"-shkruan Veliaj duke sqaruar se gjatë vitit 2023, ka drejtuar fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste në Rrogozhinë e Kavajë, ndaj është krejt normale që telefoni i tij të ketë lënë "shenjë" në atë zonë. Këtë pretendim e ka shoqëruar edhe me foto nga fushata. 

"Mjafton të shihni këtë foto-album nga fushata, për të kuptuar se me çfarë provash të leshit të humbur të kokës së tij më ka mbyllur mua në burg ky muzikant i dështuar, ndërtues i padeklaruar dhe prokuror i korruptuar. Po telefoni im ka lëshuar sinjal në atë kohë edhe te Kisha Katolike në rrugën e Kavajës, kur kam vajtur për të inspektuar punimet me Patër Zefin, por si duket, meqë Kisha është përballë pallatit të prokurorit tim ndërtues, do jetë trembur nga afrimiteti i krimit tim me ndërtimin e tij. Kështu është kur të bëjnë prokuror shoqet dhe të marrin në Spak shokët - pa kriter e pa procedurë, e kështu, një miks mes injorancës e arrogancës bëhesh vrasës i gatshëm dinjitetesh njerëzore,"-shton Veliaj.

POSTIMI I VELIAJT: 

Përshëndetje të dashur miq, uroj të jeni mirë! Unë për vete po lexoj romanin e gjatë të Ols Violinës se, siç e dini, jam i burgosur, por jo i pandehur, kështu që, skuthi më ka hetuar fiks si dikur hetuesit e Enverit me syrin te vrima e çelësit dhe pastaj më ka ngritur akuzë në thertoren e Erjon Kasapit, për gjëra që po i mësoj në burg. Që të keni një ide për besueshmërinë e materialeve të llaçit që ka gatuar prokurori ndërtues, në konflikt të hapur interesi, po ju jap një detaj komik nga leximet e mia. Siç ju thashë, Ols Violina më bëri mua pronar të shtëpisë së prindërve të Ajolës në Golem, meqë gjeti lodrat e djalit tim çilimi në shtëpinë e gjyshes.

Por, hetimi i Violinës qenka edhe më i thellë në shejtanhajvanllëkun e tij, sepse në luftën e paepur kundër korrupsionit, ky dyfytyrësh që ditën heton dhe natën ndërton, më paska kapur me shtëpi në dorë nga qelizat e telefonit tim, i cili rezulton të ketë lëshuar sinjal 87 herë në zonën Kavajë, Lekaj, Golem, Harizaj, Mali i Robit, Gosë, Synej, gjatë muajve prill-maj 2023. Këtë idiotësi e paska ruajtur si as nën mëngë, se nuk më pyeti kur më kishte përballë e më pyeste për fustanët e gruas, por po të më pyeste do ia kishte kursyer vetes dhe Spakut një turp të tillë. Gjatë vitit 2023, unë kam drejtuar fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste në Rrogozhinë e Kavajë, (madje, dy herë në Rrogozhinë), në cilësinë e Drejtuesit Politik të Qarkut të Tiranës; dhe në vitin 2024, në po këto bashki, kam drejtuar fushatën e anëtarësimeve të reja në PS. Mjafton të shihni këtë foto-album nga fushata, për të kuptuar se me çfarë provash të leshit të humbur të kokës së tij më ka mbyllur mua në burg ky muzikant i dështuar, ndërtues i padeklaruar dhe prokuror i korruptuar. Po telefoni im ka lëshuar sinjal në atë kohë edhe te Kisha Katolike në rrugën e Kavajës, kur kam vajtur për të inspektuar punimet me Patër Zefin, por si duket, meqë Kisha është përballë pallatit të prokurorit tim ndërtues, do jetë trembur nga afrimiteti i krimit tim me ndërtimin e tij. Kështu është kur të bëjnë prokuror shoqet dhe të marrin në Spak shokët - pa kriter e pa procedurë, e kështu, një miks mes injorancës e arrogancës bëhesh vrasës i gatshëm dinjitetesh njerëzore.

Më falni ta mbyll me një përshëndetje vëllazërore të gjithë stafit të Bashkisë së Tiranës.

Përqafime dhe shumë dashuri të gjithëve ju!

Veliaj u vendos në pranga më 10 shkurt, aktualisht ndodhet në paraburgimin e burgut të Durrësit. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar 3 vila në një fshat turistik në Qerret ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online./ZËRI

Poll

MOS HUMB