
TIRANË- Kryeministri Edi Rama iu drejtua sërish platformës "X" për të bërë një tjetër sqarim. Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama thekson se nuk do të ketë asnjë debat publik, as për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Ndër të tjera Rama shkruan se PS nuk e ka ndryshuar qëndrimin për mbështetjen ndaj drejtësisë e as nuk bëhen zyrë avokatie për askënd, por thekson se ka të drejtën të komentojnë mbi standardet demokratike të këtij procesi. Kësaj here nuk e harron edhe një mesazh e ka edhe për kundërshtarët politikë.
"Askush nuk ka për të na tërhequr dot në debate politike për SPAKUN e për GJKKO, sepse mes nesh dhe kënetës është kufiri mes dy botëve; asaj të drejtësisë së re europiane që duam ne, me pavarësi të plotë nga pushteti politik e me standarte demokratike, dhe asaj të drejtësisë së vjetër vulgare që do bufi me kënetën e tij, me kontroll të plotë politik e me pazare si ato që e bënë këtë vend për 100 vjet mbretërinë e padrejtësisë. Këtë lloj debati do ta bëjmë në popull, në rrugën drejt 11 majit, në mbështetje të plotë të SPAK e GJKKO kundër korrupsionit dhe patjetër, pa heshtur për shqetësimet që krijohen nga gabimet apo fajet në raport me standartet ose fjala vjen nga fakti që befas, bëhet me urgjencë prerja e kokës së Tiranës kur kemi hyrë në zgjedhje, ndërsa pesë vjet nga krijimi i tij SPAKU s’ka asnjë urgjencë për të dhënë drejtësi për 21 janarin!,"-shkruan Rama.
POSTIMI I PLOTË:
Kanalet kërkuaka debate PS - PD për rastin e Erionit, pra nuk paskan kuptuar akoma se ne kemi kaluar nga pesë vjet heshtje në një fazë të re, kur do t’i japim vetes të drejtën të bëjmë komentet tona konstruktive për standartet dhe shkeljet në procese, por nuk kemi ndryshuar thelbin e qëndrimit tonë se PS nuk është zyrë avokatie e askujt që është proces, përfshirë edhe Erjonin. E para, fakti që burgosja pa gjyq e kryetarit të bashkisë, për një problematikë që s’ka asnjë lidhje me kushtet kur jepet kjo masë, duke ndërprerë arbitrarisht kontratën e tij me zgjedhësit, kur gjykimi mund të vazhdonte në gjendje të lirë, ka të bëjë me standartet jo me fajësinë a pafajësinë e Erjonit, të cilën duhet ta ndajë drejtësia jo debatuesit e PS. E dyta, nuk ka asnjë shans që ne të bëhemi pjesë sharjeshpifjeve nokturne për çështje të drejtësisë, kur kanalet bëhen si gjykatat e pazareve të mesjetës, ku gjuhet me gurë nga të katër anët dhe ku kuakuakuatë e kënetës politiko-mediatike arrijnë klimaksin e tyre. Dhe e fundit, askush nuk ka për të na tërhequr dot në debate politike për SPAKUN e për GJKKO, sepse mes nesh dhe kënetës është kufiri mes dy botëve; asaj të drejtësisë së re europiane që duam ne, me pavarësi të plotë nga pushteti politik e me standarte demokratike, dhe asaj të drejtësisë së vjetër vulgare që do bufi me kënetën e tij, me kontroll të plotë politik e me pazare si ato që e bënë këtë vend për 100 vjet mbretërinë e padrejtësisë. Këtë lloj debati do ta bëjmë në popull, në rrugën drejt 11 majit, në mbështetje të plotë të SPAK e GJKKO kundër korrupsionit dhe patjetër, pa heshtur për shqetësimet që krijohen nga gabimet apo fajet në raport me standartet ose fjala vjen nga fakti që befas, bëhet me urgjencë prerja e kokës së Tiranës kur kemi hyrë në zgjedhje, ndërsa pesë vjet nga krijimi i tij SPAKU s’ka asnjë urgjencë për të dhënë drejtësi për 21 janarin! Ja kështu dhe përveç spektaklit të sharjeshpifjeve e të teorive idiote të konspiracionit në ato kanale, shërbejini pak edhe të vërtetës, duke kërkuar ku janë provat, a mjaftojnë a s’mjaftojnë, a janë a s’janë kushtet për burg pa gjyq e me radhë, por jo me partitë politike e aq më pak me kënetën opozitare.
Kryebashkiaku Erion Veliaj do të njihet sot në GJKKO me masën e sigurisë. Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI