Politikë

"Po me Kalanë e Rozafës çfarë keni o patriota"/ Review-t negative, Rama: Turizmi u godit pabesisht nga 'terrori digjital'!

Përmes një reagimi në "X", Rama deklaroi se bizneset janë përballur me atë që ai e quajti “terror digjital” në kulmin e sezonit veror, duke iu referuar artikull të publikuar nga 'Tirana Examiner'.

zh.ll
"Po me Kalanë e Rozafës çfarë keni o patriota"/
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me valën e komenteve negative të publikuara online ndaj disa bizneseve shqiptare të sektorit të turizmit, duke e cilësuar situatën si një sulm të organizuar me ndikim në ekonominë turistike të vendit.

Përmes një reagimi në "X", Rama deklaroi se bizneset janë përballur me atë që ai e quajti “terror digjital” në kulmin e sezonit veror, duke iu referuar artikull të publikuar nga 'Tirana Examiner'. Sipas kreut të qeverisë, ky artikull shpjegon se si “një organizim i motivuar politikisht u kthye në agresion ekonomik kundër vendit dhe familjeve që jetojnë me turizmin”.

"Ekonomia jonë e turizmit u godit pabesisht nga terrori digjital mbi sipërmarrjet mikpritëse në kulmin e sezonit. Artikulli i @TiranaExaminer shpjegon se si një organizim i motivuar politikisht u kthye në agresion ekonomik kundër vendit dhe familjeve që jetonë me turizmin.", shkruan Rama në "X".

Kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër reagim për reagimet negative, por këtë herë lidhur me Kalanë e Rozafës. Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama ka ndarë një video me revieë negative për Kalanë e Rozafës në Shkodër dhe ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Prokurorisë.

"PO ME KALANË E ROZAFËS çfarë keni o patriota apo ta shkatërrojmë sa të mundemi turizmin, se duhet t’i përzemë të huajt dhe të kthehemi tek koha kur hanim njëri-tjetrin ëëë?!
Uroj që prokuroria të veprojë një orë e më parë me këta dhunues të pronës publike e private dhe shantazhues të qytetarëve të këtij vendi", shkruan Rama në postimin e tij në Facebook.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi më 9 korrik se deri tani janë evidentuar rreth 10 mijë llogari online të dyshuara se janë përdorur për publikimin e komenteve dhe vlerësimeve negative ndaj bizneseve në sektorin e turizmit.

Hetimi lidhet me një valë reagimesh në rrjetet sociale, ku ditët e fundit janë publikuar thirrje për bojkot ndaj disa artistëve dhe figurave publike. Nismëtarët e këtyre fushatave i kanë kritikuar ata për qëndrimet e mbajtura dhe për mosmbështetjen e protestave të zhvilluara në Tiranë gjatë javëve të fundit.

Sipas hetimeve, këto thirrje kanë kaluar edhe në tentativa për dëmtimin e reputacionit online të bizneseve të lidhura me persona publikë, përmes publikimit të vlerësimeve negative dhe komenteve në platformat digjitale.

Drejtori i Policisë, Hita, paralajmëroi se çdo person që do të rezultojë i përfshirë në veprime të paligjshme do të përballet me përgjegjësi ligjore./ZËRI

Poll

MOS HUMB