TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar për rezultatet e Shqipërisë në testin ndërkombëtar PISA 2025. Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë i cilësoi ato si një “dëftesë të jashtëzakonshme” për vendin.
Rama theksoi se Shqipëria është renditur e para në rajon, duke shtuar se rezultati është një lehtësim psikologjik për prindërit dhe dëshmi e punës së bërë nga Ministria e Arsimit.
“Kemi dalë si asnjëherë më mirë në testin PISA 2025, një test i cili përcakton nivelin e të nxënit për fëmijët e arsimit parauniversitar në matematikë, shkencë dhe lexim dhe jo vetëm kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm pas atij momenti çorodie që shkaktoi Covidi dhe të gjitha vendet ranë dhe ne patëm një rënie të ndjeshme që na dha një shuplakë pas një periudhe të mëparshme rritjeje.
Sot jemi faktikisht të parët në rajon duke zënë vendin që kemi ambicie të zëmë në çdo drejtim dhe sektor, por që në këtë rast i bën një nder shumë të madh, jo qeverisë, por të gjithë atyre që kanë në duar fëmijët tanë.
Një lehtësi psikologjike për prindërit e mbytur nga balta, nga jargët e gjithëçfarëlloj vemje në kanalet sociale që nuk lënë orë e minutë pa nxjerrë e jashtënxjerrë helm për çdo gjë, por që natyrisht ngarkojnë psikologjikisht gjithë popullatën. Është rezultat fantastik dhe inkurajues i jashtëzakonshëm. Flet për punën shumë të mirë të bërë nga ministria e Arsimit”, tha Rama.
Sipas rezultateve të publikuara të raportit OECD, një ditë më parë, Shqipëria ka shënuar përmirësime të ndjeshme në testin PISA 2025, krahasuar me rezultatet e vitit 2022. Krahasuar me vitin 2022, rezultatet tregojnë një përmirësim të dukshëm në të tre fushat e vlerësuara. Në PISA 2025, Shqipëria ka marrë 433 pikë në matematikë, 435 pikë në shkencë dhe 408 pikë në lexim. Megjithatë, vendi vijon të renditet ndjeshëm nën mesataren e vendeve të OECD-së. Ndërsa rezultatet më të ulëta janë regjistruar në lexim, ku sipas raportit: Rreth 50% e nxënësve në Shqipëri arritën Nivelin 2 ose më të lartë, ndërsa pothuajse asnjë nxënës nuk arriti rezultate në Nivelin 5./ZËRI

