Politikë

"SEKRET"/ SHISH rrëzon pretendimet e Berishës, i përgjigjet Majkos: Nuk të kemi përgjuar!

Edhe pse duket se kryedemokrati Berisha ka gabuar me deklaratën e tij, nga ana e Majkos, nuk do të ketë asnjë padi kundrejt tij.

k.m.
"SEKRET"/ SHISH rrëzon pretendimet e Berishës, i
Pandeli Majko dhe Sali Berisha

TIRANË- Shërbimi Informativ i Shtetit nuk e ka përgjuar deputetin e Partisë Socialiste, Pandeli Majkon. Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, e ka parë përgjigjen e SHISH për Kuvendin e Shqipërisë, ku rrëzohet pretendimi i kryedemokratit Sali Berisha. Në përgjigjen e shkurtër me mbishkrimin "sekret", që aktualisht ndodhet në Kuvend, shkruhet: Nuk kemi bërë dhe as nuk disponojmë ndonjë përgjim ambiental apo në forma të tjera, ndaj deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Pandeli Majko. Ligji për SHISH e parashikon qartësisht mënyrën, formën dhe marrjen e lejeve përkatëse se kur dhe si përgjohet një deputet i parlamentit.

Edhe pse duket se kryedemokrati Berisha ka gabuar me deklaratën e tij, nga ana e Majkos, nuk do të ketë asnjë padi kundrejt tij. Në një intervistë për Top Channel Pandeli Majko e përjashtoi mundësinë e ngritjes së një padie për shpifje.

“Unë e kam parim. Nuk para bëj akuza për natyra të tilla. Nuk e kam bërë për asnjë gazetari apo politikani pasi mendoj se nëse do të merresha më këtë do të duhej shumë kohë dhe financim. Mendoj se çdo qytetar e ka shumë të qartë se unë nuk mund të shkoja në Kukës e të fitoja zgjedhjet duke shitur shtylla,”-deklaroi Majko për disa javë më parë.

Por i pyetur sërish për këtë çështje, socialisti as e mohoi dhe as e konfirmoi përgjigjen e SHISH. Por shtoi se do të respektonte kërkesën e këtij organi të sigurisë kombëtare për mos të ndarë asnjë detaj nga ky dokument.

Pak javë mëparë, kryedemokrati Sali Berisha komentoi vendimin e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, për të larguar si drejtues politik të Kukësit, Pandeli Majkon. Berisha pretendonte se Majko ishte kapur nga një përgjues i vendosur për të zbuluar "pazaret" e trafikantëve të armëve dhe drogërave, duke blerë vota. Sipas Berishës, përgjimi ishte bërë nga SHISH.

"Pandeli Majko është kriminel i madh elektoral në Kukës. Pandeli Majko është i regjistruar në tavolinë me regjistrues, të vendosur me vendim gjykate nga Shërbimi Informativ Kombëtar, jo për Pandeli Majkon, por për trafikantë droge dhe armësh që mblidheshin aty. Aty shkon dhe bie zoti Pandeli. Dhe aty, është shumë e vërtetë, dosja është edhe tek ata, është edhe tek unë, aty shkon Pandeliu me këtë Alban Çelën dhe drejtorin e OSHEE të Kukësit dhe fillojnë. I thotë atij drejtorit, ti në Has do të kërkosh kaq shtylla centrifugale dhe do i marrësh në një kompani këtu buzë Erzenit. Ato kushtonin nja 40 deri në 60 mijë euro. Por i thotë, do faturohen 800 mijë euro, nga të cilat 300 do i dërgohen Tropojës për të blerë vota, 200 mijë do dërgohen në Durrës, të tjerat do përdoren në Kukës,"-tha Berisha gjatë një konference për shtyp.

Por deklaratat e kryedemokratit u ironizuan nga socialisti, e po ashtu dorëzoi imunitetin e tij parlamentar. Megjithatë, nuk e la me kaq! Sërish ishte socialisti Majko, ai që kërkoi informacione nga SHISH për të mësuar nëse kanë nisur ndonjë hetim ndaj tij gjatë kohës që ka qenë i dërguar si drejtues qarku në Kukës. Përgjigjia duket se ka ardhur, por ende nuk është bërë publike./ZËRI

Poll

MOS HUMB