TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka mbërritur te 'Vila e Kuqe' ku do të mbahet mbledhja me drejtuesit politikë dhe ministrat e zv.ministrat që janë të deleguar në njësi ose deputetë. Takimi vjen një ditë përpara mbledhjes me Grupin Parlamentar të zgjeruar të Partisë Socialiste.
Mbledhja e stme pritet të shërbejë si pikënisje për zbatimin e detyrave të përcaktuara nga Rama në mbledhjen e zhvilluar javën e kaluar. Edhe në këtë mbledhje fokusi do të jetë te porositë e lëna nga kryeministri lidhur me dy dokumentet strategjike “BESA” dhe “Prania Besnike”. Gjithashtu në fokus do të jetë edhe qasja e re ndaj problematikave të qytetarëve, përmes platformës PasqyrAlbania.
Platforma PasqyrAlbania u prezantua gjatë takimeve dyditore me dyer të mbyllura në Pogradec, ku Rama kërkoi që problematikat dhe shqetësimet e qytetarëve të vendosen në qendër të axhendës së qeverisë. Platforma do të funksionojë përmes dy sektorëve: “Flamingo Albania”, që do të mbledhë dhe adresojë ankesat e pazgjidhura te institucionet përkatëse, dhe “Radar”, që do t’u mundësojë qytetarëve të ndjekin në kohë reale ecurinë e ankesës. Synimi është që problemet që qytetarët kanë të zgjidhen brenda dy javësh./ZËRI