
KORÇË-Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me qytetarët në Devoll, ku gjatë fjalës së tij është ndalur te kandidati i Partisë Demokratike për Qarkun e Korçës, Bledion Nallbati. Rama e quajti kandidatin demokrat “rrugaç”, pasi ky i fundit u përfshi në një sherr fizik me një shofer kamioni në Bilisht. Kreu i qeverisë në fjalën e tij kujtoi Dritëro Agollin, duke thënë se ishte deputet i devollit në Kuvend asokohe, por sot PD ka sjellë në parlament një rrugaç.
Edi Rama: Devolli kishte Dritëro Agollin. Para pak ditësh ishit dëshmitarë të një skenë që tregon se ku ka rënë pazaret e opozitës në Shqipëri. Agolli ishte deputet i opozitës dhe fliste për të gjithë popullin. Ndërkohë që opozita ka sjellë një rrugaç. Nuk e di se në cilin rresht të Agollit do gjente vend, mbase te fjala kokëbosh dhe trangull. Si mund të votojnë demokratët e Devollit për një rrugaç? Është një grup rrugaçësh. Ju e dini mirë rrugaçin kryesor. Si mund të bjerë pazari deri në pikën kur t’i çojnë parlamentit të Shqipërisë këtë rrugaç? Si mund të shkosh nga Dritëri Agolli te një turp vendor këtu? Si mund të bëhet kjo punë.
Deputeti demokart Bledion Nallbati dhe vëllai i tij u përfshinë në një konflikt fizim me një shofer kamioni në Bilisht. Vetë Nallbati ka pranuar se është përfshirë në sherr dhe deklaron se ka tentuar disa herë që të shmangë përplasjen, por emocionet dhe sjellja e drejtuesit të kamionit bënë të vetën. Sipas tij pamjet e publikuara nuk janë të plota dhe mjeti me të cilin udhëtonin mund të ishte përplasur me kamionin, pasi shoferi i mjetit të tonazhit të rëndë ishte me shpejtësi. Në lidhje me konfliktin e ndodhur është arrestuar Alti Nallbati, vëllai i kandidatit të Partisë Demokratike për Qarkun e Korçës, Bledjon Nallbati. Sipas policisë, ndaj 42-vjeçarit, Alti Nallbati rëndojnë veprat penale "Dëmtime të tjera me dashje", "Prishja e qetësisë publike", dhe " Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit"./ZËRI