Politikë

Shkarkimi i Veliajt/ PS nis procedurat, kur mblidhet Këshilli Bashkiak i Tiranës?

Pritet që këshilltarët më pas të depozitojnë një kërkesë të re për shkarkimin e Veliajt, e cila do t’i prezantohet Këshillit Bashkiak.

zh.ll
Shkarkimi i Veliajt/ PS nis procedurat, kur mblidhet Këshilli Bashkiak i
erion veliaj

TIRANË- Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të mblidhet të martën për të shqyrtuar shkarkimin e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, që prej 7 muajsh është në qeli. Burime për mediat bëjnë me dije se ky vendim u është komunikuar këtë të mërkurë këshilltarëve të Partisë Socialiste, të cilët u mblodhën sot në selinë rozë.

Pritet që këshilltarët më pas të depozitojnë një kërkesë të re për shkarkimin e Veliajt, e cila do t’i prezantohet Këshillit Bashkiak. Argumenti kryesor që do të përdoret në këtë kërkesë është neni 62 pika c i ligjit për qeverisjen vendore, i cili parashikon shkarkimin për mosparaqitje në detyrë për një periudhë tremujore të pandërprerë.

Pas nisjes së procedurave nga Këshilli Bashkiak, do të jetë Këshilli i Ministrave që do të vendosë për shkarkimin e kryetarit të bashkisë. Pas kësaj, Veliaj do të ketë 15 ditë kohë ta ankimojë vendimin për shkarkim në Gjykatën Kushtetuese, pasi nëse Këshilli e shkarkon dhe Rama e firmos, ai ka të drejtë ta kundërshtojë. Në rast se Veliaj e çon kundërshtimin në Kushtetuese, procesi duhet të pezullohet dhe zgjedhjet për zëvendësimin e tij, të mos zhvillohen.

Si do të bëhet shkarkimi i Veliajt?

Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:
a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata;
c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.

Pika e fundit pritet që të jetë ajo që do të përdoret nga Këshilli Bashkiak për shkarkimin e Veliajt, që sërish do të duhet të çohet në kryeministri. Rama më pas duhet t’i propozojë presidentit mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ky proces mund të zgjasë deri në 45 ditë.

Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg që prej datës 10 Shkurt të këtij viti. Kryebashkiaku së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Në njoftimin e SPAK thuhet se çifti kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

Poll

MOS HUMB