
TIRANË- Shqipëria pritet të avancojë më tej në procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, me një tjetër kapitull që mund të mbyllet gjatë muajit tetor.
Sipas Top Channel data 13 tetor është në diskutim për zhvillimin e Konferencës së radhës Ndërqeveritare BE-Shqipëri. Burime diplomatike nga Komisioni Evropian kanë bërë të ditur se në këtë datë mund të zhvillohet takimi ku pritet të shqyrtohet mbyllja e përkohshme e Kapitullit 20, i cili lidhet me Biznesin dhe Politikat Industriale.
Deri tani, Shqipëria ka mbyllur përkohësisht tre kapituj të negociatave. Më 14 korrik 2026 u mbyllën Kapitulli 25 për Shkencën dhe Kërkimin, Kapitulli 26 për Arsimin dhe Kulturën dhe Kapitulli 30 për Marrëdhëniet e Jashtme.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar mbylljen e këtyre kapitujve si një tjetër hap në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Objektivi i deklaruar është përfundimi i negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
Në të njëjtën mbledhje, sipas burimeve të raportuara, Mali i Zi pritet të avancojë me mbylljen e tre kapitujve të negociatave./TCH