TIRANË-Situata me zjarret në Shqipëri mbetet alarmane, me raportime të vatrave nga jugu në veri dhe mijëra pyje e toka të shkrumbuara. Teksa çdo ditë vendi digjet, janë ngritur edhe dyshimet se zjarret janë të qëllimshme. Denoncimet e fundit marrë shkas nga zjarri i frikshëm në Himarë dhe ai në Fier ngrejnë dyshimet se zonat po digjen si shkak i 'Paketës së Maleve'.
Kreu i Partisë Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj me anë të një video të postuar në rrjete denoncon se nëpërmjet 'Paketës së Maleve' po i vihet flaka Shqipërisë. Lapaj ka ndarë një imazh të hartës së zonës në Himarë, sipërfaqe e cila është miratuar për 'Paketën e Maleve'. Kreu i Partisë Shqipëria Bëhet pretendon se toka po blihet me 1 euro dhe aty do të ndërtohet nga ata që po e djegin. Lidhur me denoncimin Lapaj njofton se gjatë kësaj jave do të depozitojnë në Kuvend projektligjin, që ndalon dhënien e lejeve të ndërtimit në 15 vitet që vijnë.
Ndërkohë edhe për zjarrin e përmasave të mëdha në fshatrat dhe zonat e Fierit, arkitekti Elis Baba pretendon se nuk është rastësi. Baba ka ndarë disa imazhe satelitore nga NASA, të cilat tregojnë një përputhje gjeografike mes zjarreve aktive dhe hartës së "Paketës së Maleve" në Qarkun e Fierit. Arkitekti shprehet se zjarret po përdoren për të krijuar "degradim faktik" të territorit, ku tregon dhe skemën se sipërfaqet kalojnë nga një zonë që ndalohet ndërtimi në "tokë jofruktizuese" apo "terren të lirë" për investime e ndërtim.
POSTIMI I PLOTË:
ZJARRET NË FIER DHE PAKETA E MALEVE : TË DHËNAT SATELITORE HEDHIN POSHTË "RASTËSINË"
Të dhënat satelitore nga NASA zbulojnë një përputhje tronditëse gjeografike mes zjarreve aktive dhe hartës së "Paketës së Maleve" në Qarkun e Fierit.
Zjarret që nisën dje patën si objekt qendror Zonën 5 (Levan). Edhe pse pa u shuar, sot vatrat vazhduan të përhapen përgjatë perimetrit kudo ku gjendet lëndë djegëse vegjetative, duke u shtrirë drejt Zonës 8 (Qendër) dhe Zonës 4 (Frakull).
Pse pikërisht Zona 5?
Aksesi Strategjik: Kjo hapësirë prej 2,547 ha përshkohet në të dyja krahët nga rruga e kategorisë primare Fier–Levan, çka i jep një vlerë mjaft të lartë pozicionimi.
Statusi i Tokës: Kjo zonë përbëhet nga tokë bujqësore buzë rrugës kryesore, e cila më pas ngjitet në kodër duke kaluar në fond pyjor dhe zonë natyrore. Legjislacioni ndalon ndërtimin si në tokën bujqësore ashtu edhe në atë pyjore.
Si anashkalohet ligji dhe cila është skema?
Edhe pse Ligji nr. 57/2020 "Për Pyjet" ndalon kategorikisht ndryshimin e destinacionit të sipërfaqeve të djegura për 10 vjet, praktika tregon se zjarret përdoren për të krijuar "degradim faktik" të territorit.
Pasi pylli shkatërrohet, terrenit i ndryshohet statusi përmes Plani të Përgjithshëm Vendor apo lehtësirave të "Paketës së Maleve", duke e paraqitur nesër si "tokë jofruktizuese" apo "terren të lirë" për investime e ndërtim.
Kërkesë publike për hetim:
Nisur nga kjo përputhje e qartë gjeografike mes lejeve/zonave me përparësi zhvillimi dhe vatrave të zjarrit, i bëjmë thirrje SPAK-ut dhe organit të akuzës të nisin menjëherë hetimet kryesisht.
Duhet të hetohet përgjegjësia penale për zjarrvënie të qëllimshme (Neni 206/a i Kodit Penal), si dhe të bllokohet çdo tentative e ardhshme për ndryshim destinacioni apo lejim ndërtimi mbi këto zona të djegura.
Grafikat tregojnë mbivendosjen e të dhënave satelitore mbi hartën zyrtare. Gjykoni vetë.