
TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, është paraqitur ditën e sotme në selinë e Partisë Demokratike. I shoqëruar nga Edmond Haxhinasto, të dy kanë shkuar për mbylljen e negociatave mes PD dhe partive aleate. Edhe pse ende nuk është e konfirmuar zyrtarisht nga Partia Demokratike, është zbuluar se me Partinë e Lirisë është rënë dakord që të marrin 4 deputetë nga lista e sigurtë.
Edhe pse është në ambientet e paraburgimit të 313-ës, Meta ka kërkuar të jetë pjesë e listave të sigurta. Teksa ai do të kandidojë në Tiranë, në Korçë ka një vend për Tedi Blushin; në Elbasan për Edmond Haxhinaston dhe në Fier për Erisa Xhixhon. Edhe pse kërkesa fillestare ishte për 6-7 vende në listën e mbyllur, duket se demokratët nuk kanë pranuar që të japin dyfishin e emrave që aktualisht kjo forcë politike ka në sallën e Kuvendit.
Aleatët e tjerë janë të "kënaqur" me nga një vend. Fatmir Mediu me Partinë Republikane e ka një vend në Tiranë, Vangjel Dule në Vlorë, ndërsa Agron Duka kërkoi një 'pasardhës' tijin në Durrës. Kjo sepse vetë e ka bërë me dije se nuk do të garojë më për një tjetër mandat. Megjithatë ende nuk e ka zbuluar emrin e personit që do të "delegojë" në sallën e Kuvendit.
Më shumë 'dhimbje koke' po shkakojnë negociatat me Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Nëse për të tjerat ka diskutuar vetë Noka, me Idrizin është ulur edhe kryedemokrati Sali Berisha. Kjo sepse nga 3 emra në Kuvend, Idrizi kërkon 2 deputetë të sigurtë, me shumë gjasa kërkon një vend për veten dhe për Mesila Dodën; por PD është e gatshme vetëm për një. Për këtë çështje, Berisha dhe Idrizi diskutuan për më shumë se 1 orë në Kuvend, të enjten që lamë pas, por ende nuk ka dakordësi.
Ndërkohë, afati për përmbylljen e dorëzimit të koalicioneve në KQZ është mesnata e sotme, ora 00:00./ZËRI