
TIRANË- Sot dhe nesër do të mbahen dy mbledhjet e fundit të Komisionit hetimor për koncensionet e dhëna në Shëndetësi, Sterilizimin dhe check-up. Në mbledhjen, e cila është parashikuar që të nisë në orën 09.00 të mëngjesit, pritet të dëshmojë ministrja Albana Koçiu dhe paraardhësja e saj Ogerta Manastirliu. Po ashtu, në listën e dëshmitarëve është edhe ish-ministri Shkëlqim Cani. Ndërsa, nesër, të martën pritet të vijë nga burgu për të dëshmuar ish-ministri i Shëndetësisë përgjegjës për këto dy koncesione, Ilir Beqaj. Edhe pse në burg, ky i fundit do të marrë leje speciale për të dëshmuar në sallë para deputetëve. Përveç ministrave, do të kërkohet dëshmia edhe e zyrtarëve të tjerë.
“Thirrja e dëshmitarëve për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, si më poshtë: Albana Koçiu, Ogerta Manastirliu, Shkëlqim Cani, Admir Daci, Arben Daci, Artan Kalleshi, Altin Fani,”- bëhet me dije në njoftim.
Mbetet për t'u parë nëse në këtë mbledhje do të marrë pjesë opozita, e cila prej kohësh kërkon bojkot. Në takimin e fundit, socialistët vazhduan pa kryetaren e Komisionit, Albana Vokshi. Ndërsa kjo e fundit kërkoi nga Kuvendi ndëshkimin e deputetëve Plarent Ndreca, Ilir Metaj dhe Erion Braçe me pretendimin se e kishin fyer gjatë punimeve të Komisionit. Deri më tani, ajo ka marrë pjesë e vetme në sallë, bashkë me Petrit Vasilin, pasi deputetët e tjerë janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit për shkak të kaosit që kanë krijuar në seancat plenare.
Komisioni Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u ngrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim janë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Këto koncensione në Shëndetësi kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime. Madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike. Po ashtu, edhe opozita ka ngritur herë pas herë akuza se koncensionet kanë qenë abuzim i pastër me paratë e buxhetit të shtetit. Aktualisht, Beqaj është në burg pasi akuzohet se ka abuzuar me fondet e BE-së, por po hetohet edhe për koncensionet në Shëndetësi. Megjithatë, ndërsa hetimet vazhdojnë, deri më tani për të nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare nga ana e SPAK./ZËRI