
TIRANË-Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancën e radhës. Kuvendi pritet të shkarkojë sot anëtarët e Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar në seancën plenare. Konkretisht, do të shkarkohet edhe kreu i këtij Këshilli, Leka Bungo.
Vendimi vjen pas një hetimi të Komisionit Parlamentar të Medias, i cili ka shqyrtuar procedurat e dyshimta në zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, që u shoqëruan me një sërë abuzimesh. Anëtarët që do të shkarkohen janë: Ilir Keko, Albert Minga, Dionis Papadhimitri, Ëngjëll Ndocaj, Edmond Tullumani, Mevlan Shanaj, Milena Selimi dhe Ardita Reçi. Opozita dhe mazhoranca skanë qenë në një linjë dhe në sallë të dy partitë pritet të votojnë pro shkarkimit të tyre.
Në Kuvend do të diskutohen edhe ndryshimet për Kodin Zgjedhor. Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve deputetët ranë dakort që postën për votat që do të vijnë nga jashtë vendit do ti paguajë shteti, afrimin e afateve për listën e kandidatëve për deputet dhe partitë mund të grumbullojnë fonde sa 5-fishi i lekëve që u jep shteti për fushatë. Për këto ndryshime pritet miratimi në seancë, por nuk do të ketë votim me ID të huaja siç kërkoi PD. Mazhorancës do t'i duhen 84 kartonë jeshil për të siguruar ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Në rend dite është edhe përzgjedhja e Avokatit të Popullit, procesi i ngelur peng i dialogut politik që nga qershori i vitit 2023. Emrat janë mbështetur me firma vetëm nga opozita, ndërsa do t’i nënshtrohen votës së deputetëve në parlamennt për të siguruar 84 vota.
Në rend dite është parashikuar edhe një interpelancë mes ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha dhe deputetit demokrat Asllan Dogjani, për sigurinë në vend./ZËRI