
TIRANË-Pas verifikimit të fletëve të votimit në 94 kutitë e Gramshit dhe Peqinit, të cilët u krahasuan me materialet zgjedhore, ka nisur sot në pallatin e sportit “Farie Hoti” rinumërimi i të gjithë qarkut të Tiranës. Konkretisht janë 1282 kuti ku do të shqyrtohen votat për partitë si edhe për kandidatët. Procesi për Tiranën pritet të zgjasë rreth 10 ditë.
Disa prej kandidatëve po ndjekin nga afër procesin, si Asllan Dogjani, Ilir Alimehmeti një prej më të votuarve nga PD në këtë qark, por që nuk e fitoi mandatin, si edhe kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj e kandidati i tij Erald Kapri. Deri më tani, nuk ka asnjë kandidat nga PS që të ndjekë procesin.
Me rinumërim e votave në Tiranë, mundësia për ndryshim të emrave kandidat fitues është relativisht e ulët, mundësia ekziston për 2-3 raste ku mandat i deputetit është fituar me më pak se 500 vota, si Olta Xhaçës përball Blerian Gjylametit apo Ornaldo Rakipit përball Qemal Xhefalisë në Tiranë.
Më pas do të nisë procesi për Fierin, ku do të shqyrtohen 587 kuti, dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës (275 kuti brenda vendit + 85 nga diaspora). Në total, do të hapen 2,323 qendra votimi, përfshirë edhe 85 kuti të votimit nga diaspora.
Procesi do të shtrihet për rreth 1 muaj dhe po realizohet me 24 grupe pune dhe 63 punonjës të administratës zgjedhore, ku nuk do të përjashtohen vëzhguesit e 3 subjekteve politike që kanë ankimuar vendimin./ZËRI