Politikë

Sot seanca maratonë më shumë se 24 orë, prezantohet programi qeverisës në Kuvend

Rregullorja e Kuvendit parashikon që vetëm kryeministri dhe kreu i opozitës gëzojnë të drejtën të flasin pa kufizim kohe ose në barazi kohore me njëri-tjetrin.

F.I
Sot seanca maratonë më shumë se 24 orë, prezantohet programi
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Sot Kuvendi do të mblidhet në seancën maratonë, e cila pritet të zgjasë deri ditën e nesërme (19 shtator). Kjo është seanca e tretë plenare brenda kësaj jave.

Kryeministri Edi Rama do të paraqesë sot në Kuvend programin e ri qeverisës për mandatin e katërt. Në programin e qeverisë janë të theksuara 3 shtylla, Shqipëria Europiane, Rritja Ekonomike e Qëndrueshme dhe Mirëqenie për të gjithë. Siç edhe e ka bërë publike gjatë fushatës kryeministri Edi Rama, fokusi i reformave do të jetë procesi i integrimit.

Sipas vendimit të marrë një ditë më parë në Konferencën e Kryetarëve, çdo deputet do të ketë në dispozicion nga 10 minuta për të folur. Pas fjalës së kryeministrit, foltorja i kalon opozitës, ku pritet të marrë fjalën kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ose kreut të grupit parlamentar, Gazment Bardhi, në varësi të vendimmarrjes brenda grupit. Rregullorja e Kuvendit parashikon që vetëm kryeministri dhe kreu i opozitës gëzojnë të drejtën të flasin pa kufizim kohe ose në barazi kohore me njëri-tjetrin.

Në përmbyllje të debatit, do të zhvillohet votëbesimi i qeverisë së re, përfshirë kryeministrin dhe 16 ministrat, përmes miratimit të dekreteve të Presidentit Bajram Begaj./ZËRI

Poll

MOS HUMB