TIRANË- Mbledhja e këshiltarëve socialistë pasditen e kësaj të mërkure në selinë rozë, është shqoëruar me tensione dhe debate të forta. Burime për mediat bëjnë me dije se gjatë mbledhjes, disa anëtarë të PS-së kanë hezituar fillimisht për të dhënë firmën e tyre në kërkesën për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Mësohet se këshilltari socialist, Aldo Mërkoçi ka bërë rezistencë për të firmosur tekstin e shkarkimit. Mërkoçi ka kërkuar që në deklaratë të shënohet se Erion Veliaj i ka shërbyer qytetit dhe ka punuar për banorët e Tiranës. Në fund, ai ka pranuar të firmosë tekstin pasi këkresa e tij është marrë parasysh.
Një tjetër këshilltar, bashkëpunëtor i Veliajt, që ka refuzuar të firmosë shkarkimin e kryebashkiakut është edhe Eridian Saljanji. Madje, ky i fundi, është shprehur se ishte i gatshëm të “sakrifikonte” veten, nëse do t'i duhet të zgjidhte mes postit të tij dhe Veliajt. Firmosjen e tekstit të shkarkimit, ai e ka konsideruar një vendim të vështirë politik për shkak të bashkëpunimit prej shumë vitesh me Veliajn.
Megjithatë në fund, të gjithë ata këshilltarë që ishin të pranishëm firmosën kërkesën për shkarkimin e Veliajt. Këshilltarët janë thirrur nga kryetarja Megi Fino në ambientet e selisë së Partisë Socialiste, për t'u dakordësuar rreth veprimeve që do të ndërmarrin javën e ardhshme. Pasi është arritur dakodësimi, është vendosur që Këshilli Bashkiak të mblidhet ditën e martë, 23 shtator, në orën 16:00, për të votuar për shkarkimin e Erion Veliaj./ZËRI
