TIRANË- Deputetja Mesila Doda ka reaguar pas lajmit se ka vendosur të jetë e pavarur në Kuvend, duke mos qenë pjesë e asnjë grupi parlamentar të opozitës. Doda deklaron se do të vazhdojë të mbajë kauzat e opozitës, megjithatë ajo shprehet kundër ndarjes në 3 grupe parlamentare. Sipas saj, nuk ka një grup të përbashkët opozitar siç ishte në zgjedhje, ndërsa thekson se nuk është konsultuar për konfigurimet e grupeve që janë krijuar.
“Une jam deputete e opozitës dhe PDIU. Nuk jam konsultuar për konfigurimet e grupeve që janë krijuar. Do vazhdoj të mbaj kauzat e Opozitës dhe të PDIU. Nuk ka një grup të përbashket opozitar siç ishte ne zgjedhje ku do ishte normale të ishim të gjithë pjesë”, shprehet Doda.
Mesila Doda garoi në zgjedhjet parlamentare nën siglën e PDIU-së së Shpëtim Idrizit dhe siguroi mandatin e deputetit nga lista e mbyllur e Partisë Demokratike në Tiranë. Nën siglën e PD-së, Mesila Doda garoi në listën e mbyllur të Tiranës, duke fituar automatikisht vendin si deputete.
Doda nuk u bë pjesë as në grupin e PD dhe asaj të Fatmir Mediut që grupi aleatët te gjithë bashkë, përfshirë kreun e PBDNJ, Vangjel Dule. Përveç Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike (PD), do të ketë edhe Grupin Parlamentar të Partisë së Lirisë (PL), një tjetër grup është krijuar në radhët e opozitës. Grupi i tretë do të përbëhet: Fatmir Mediu nga PR, Vangjel Dule nga PBDNJ, Greta Bardeli PD, Denisa Vata PD, Zija Ismaili PD, Artan Luku PAA dhe Fidel Kreka PD. Një ditë më parë, Partia e Lirisë (PL) zyrtarizoi grupin e saj parlamentar në Kuvend për Legjislaturën e re./ZËRI

