
TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka bërë reagimin e parë pasi është kthyer në Shqipëri, disa orë pasi agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit "zbarkuan" në banesën e tij. Në një status të publikuar në rrjetin social "X", Veliaj shkruan se hetimet që po zhvillohen nga SPAK dhe BKH, janë të mirëpritura nga ana e tij. Po ashtu, thekson se është i hapur ndaj çdo veprimi të drejtësisë.
"Unë nuk bëj pjesë në atë kastë të vjetër politike që, për shumë kohë, e vendosën veten mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi llogaridhënien institucionale. Të gjithë këta që i kanë borxhe drejtësisë, rrokin flamurin e përkrahjes së drejtësisë kur në përputhje me ligjin dhe vendimet e gjykatave kryhen veprime procedurale në kuadër të hetimeve, dhe e sulmojnë atë me çdo mjet tashmë që drejtësia ka filluar të veprojë mbi ta, duke thyer kështu tabunë shumë vjeçare të mosndëshkueshmërisë,"-shkruan Veliaj ndër të tjera.
POSTIMI I PLOTË I ERION VELIAJT:
Duke marrë shkas nga zhvillimet e ditës së sotme, hapat procedurale të kryera nga prokuroria e posaçme në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap. U bë një kohë e gjatë që hetimin dhe gjykimin tim e bëjnë opozitarët e zhytur në llumin e korrupsionit dhe të “ashtuquajturat media”, që luftojnë çdo zyrtar e funksionar publik që nuk bie prè e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta. Familjarët e mi dhe unë, si qytetar i këtij vendi, por njëkohësisht edhe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të jemi gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë, por duke përbuzur njëkohësisht me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe familjarëve të mi, si dhe duke përhapur, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve. Unë nuk bëj pjesë në atë kastë të vjetër politike që, për shumë kohë, e vendosën veten mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi llogaridhënien institucionale. Të gjithë këta që i kanë borxhe drejtësisë, rrokin flamurin e përkrahjes së drejtësisë kur në përputhje me ligjin dhe vendimet e gjykatave kryhen veprime procedurale në kuadër të hetimeve, dhe e sulmojnë atë me çdo mjet tashmë që drejtësia ka filluar të veprojë mbi ta, duke thyer kështu tabunë shumë vjeçare të mosndëshkueshmërisë.
Çfarë ndodhi sot me Veliajn?
Teksa kryebashkiaku ndodhej për një vizitë zyrtare 2 ditore në Hamburg, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit janë paraqitur sot në banesën e Veliajt për të sekuestruar celularin e bashkëshortes së tij Ajola Xoxa. Më pas, së bashku me vetë Xoxën janë paraqitur edhe në galerinë e saj, “Harabel”, për të ushtruar kontroll. Pavarësisht se pas interesit të mediave, ka pasur një sqarim nga SPAK lidhur me atë që po ndodh. Sipas Prokurorisë së Posaçme, po kryen hetime për një çështje, por nuk japin detaje të tjera./ZËRI