Politikë

Starton sot fushata zgjedhore! PD e nis e para, kërkon rikthimin në pushtet pas 12 vitesh, aktivitet hapëse të partive në garë

Drejtuesi i fushatës, Chris LaCivita, do të jetë krah Sali Berishës

F.I
Starton sot fushata zgjedhore! PD e nis e para, kërkon rikthimin në
Sali Berisha

TIRANË-Fillon sot zyrtarisht fushata elektorale për partitë e regjistruara në garën e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” janë të parët që hapin fushatën me një mitingnë sheshin “Nënë Tereza”, ku po ndërtohet skena kryesore. Mitingu do të fillojë zyrtarisht në orën 19:00 te “Nënë Tereza”.

Drejtuesi i fushatës, Chris LaCivita, do të jetë krah Sali Berishës, të cilët do t’u drejtohen shqiptarëve më fjalimet e tyre. Berisha në daljet e tij për mediat nuk ka ndarë më shumë detaje rreth fushatës, ndërsa njoftoi se më 12 prill do të prezantohet programi ku kandidatët sipas një udhëzimi do të takojnë qytetarët për t’ua bërë të ditur programin.

Në ditë pas PD, më 12 prill socialistët dhe kryeministri Edi Rama do të hapin fushatën me sloganin e tyre “Shqipëria 2030 në BE”. Partia Socialiste ka vendosur që të mos mbajë një miting të madh hapës në Tiranë, ashtu siç zakonisht ka ndodhur në çdo fushatë zgjedhore. Përkundrazi do të zhvillohen 12 evente në çdo qark të Shqipërisë paralelisht ku fokusi do të jetë gruaja. 12 aktivitetet do te lidhen me njëra tjetrën ku mësohet se do të flasin përfaqësuese gra nga çdo qark dhe në fund do të jetë kryeministri Rama që do të përshëndesë aktivitetin.

Data 12 prill është zgjedhur për shkak të simbolikës së 12 yjeve në flamurin e BE-së, si dhe të fokusit të kryeministrit Rama, i cili ka premtuar se në mandatin e tij të katërt fokusin dhe qëllimin e ka tek integrimi europian gjatë fushate elektorale.

Partia ‘Mundësia’ e Agron Shehaj do të çelë po ashtu nesër fushatën në një mënyrë të veçantë. Shehaj do të zhvillojë një tur me autobus nga veriu në jug me autobus të personalizuar me simbole të partisë së tij. Ai do të niset nga Shkodra në 08:00 të mëngjesit, Lezhë, Durrës, Kavajë, Lushnje, Fier, Vlorë, Selenicë dhe në orën 20:00 turin do ta mbyllë në Sarandë, ndërsa më 13 prill do të zhvillojë një takim të posaçëm për prezantimin e plotë të programit.

Nisma Shqipëria Bëhet do të hapë fushatë në Vlorë më 12 prill, ora 18:00, në sheshin para  “Flamurtari”.

Edhe Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashën do të çelë fushatën po ashtu më 12 prill, ora 11:00, te Xibraku.

Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit do të hapë zyrtarisht fushatën elektorale më 13 prill në Fier, 10:30, te Teatri Bylis./ZËRI

Poll

MOS HUMB