Politikë

Gjyqtarët kërkuan rritje pagash/ "Uroj që GJK mos të lajthisë!", Kushtetuesja-Ramës: E papranueshme çdo formë ndikimi

Gjykata thekson se janë të papranueshme ndikimet apo përpjekjet që vënë në dyshim autoritetin dhe reputacioni e saj, gjë e cila cenon balancën mes pushteteve.

F.I
Gjyqtarët kërkuan rritje pagash/ "Uroj që GJK mos të
Edi Rama

TIRANË-Kryeministrit Edi Rama pasi u njoh me kërkesën e unionit të gjyqtarëve për rritje page me 700 euro, reagoi një ditë më parë (11 qershor) me anë të një deklarate në rrjete sociale, duke u shprehur se kjo kërkesë është një praktikë e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve. Duke marrë parasysh vendimin e fundit për këtë çështje të Gjykatës Kushtetuese, të cilin Rama e cilëson si një ndërhyrje skandaloze në kompetencat e ekzekutivit, kreu i qeverisë dënoi kërkesën e Unionit. Kryeministri iu drejtua Kushtetueses, duke i kërkuar që rasti mos përsëritet. Ai e quajti kërkesën, “shaka” për të cilën fillimisht mazhoranca socialiste heshti, por tani nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë.

"Tani, unë uroj shumë që shakaja e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë – të cilën ne e pranuam në heshtje si një lajthitje që duhej kapërdirë për hir të respektit me heshtje të një vendimi të gjyqësorit – të mos përsëritet. Sepse heshtja ndaj çfarëdo abuzimi, me mbështetjen tonë për drejtësinë, nuk është më një opsion për ne. Për më tepër, në këtë rast ky do të ishtë një abuzim madhor, shumëdimensional, që do të cënonte shumëkënd e shumëçka, duke nisur nga vetë Kushtetuta dhe serioziteti i Republikës së Shqipërisë,"-shkruan ndër të tjera, Rama.

Sot një reagim erdhi nga Gjykata Kushtetuese, ku duke iu referuar postimit të kryeministrit Edi Rama, garanton se ushtrimi i funksionit të saj kushtetues është i pandikuar nga palët politike apo veprimtaritë dhe vendimmarrjet e tyre. Më tej thekson se janë të papranueshme ndikimet apo përpjekjet që vënë në dyshim autoritetin dhe reputacioni e saj, gjë e cila cenon balancën mes pushteteve.

Reagimi i Gjykatës Kushtetuese:

Duke marrë shkas nga qëndrime dhe reagime të publikuara së fundi në media dhe në rrjete sociale nga përfaqësues të pushteteve të tjera, përfshi atë ekzekutiv, si dhe të vetë medias, Gjykata Kushtetuese siguron publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej tyre në veprimtarinë ose vendimmarrjen e saj. Gjykata Kushtetuese gjen rastin të ritheksojë se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, çka do të cenonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve.

Çfarë ka ndodhur?

Unioni i Gjyqtarëve ka kërkuar përsëri rritjen e nivelit të pagave, duke marrë shkas nga rritja që Qeveria i bëri rrogave të administratës. Unioni i Gjyqtarëve e ka depozituar kërkesën në datën 3 Mars 2025 në Gjykatën Kushtetuese, ku aktualisht e ka kaluar seancën paraprake dhe në mes të muajit Qershor pritet të mbahet seanca për shqyrtimin e saj. Unioni i Gjyqtarëve mendon se ka të drejtë të kërkojë këtë rritje të pagave, ndërsa pritet vendimi që do të marrë Kushtetuesja.

Në vitin 2023, paga bazë e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga 118 100 lekë shkoi në 153 000 lekë. Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje nga Unioni i Gjykatave pas një auditimi të KLSH-së në vitin 2020 në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Sipas raportit të KLSH, ligji ishte interpretuar në mënyrë të gabuar, duke u mohuar gjyqtarëve dhe prokurorëve 14 mijë lekë në muaj. Sipas KLSH-së, paga e tyre duhet të ishte 132.100 lekë nga 118.000 lekë që ishte llogaritur.

Ndryshimet ligjore të depozituara nga qeveria në Kuvend ndryshuan kategorinë që do merret si referencë për pagën bazë. U vendos që si referencë nuk do merret paga e sekretarit të përgjithshëm, por paga e presidentit, meqenëse kreu i shtetit duhet të ketë pagën më të lartë në piramidën e shtetit shqiptar. Kështu nga 4 250 00 lek në muaj ose rreth 4 mijë euro që paguhet presidenti, rroga për gjyqtarët dhe prokurorët duhet të jetë sa koeficientit që del nga shumëzim i 0.36 me pagën e e Presidentit të Republikës, konkretisht 153 000 lekë në muaj. Por, ndryshimet ligjore kanë vendosur një kusht, sipas të cilit indeksimi i kësaj page nuk mund të bëhet më vonë se dy vite nga indeksimi i fundit./ZËRI

Poll

MOS HUMB