
TIRANË-Kryeministri britanik, Keir Starmer ka zhvilluar vizitën e parë në Shqipëri. Pas takimit të zhvilluar në kryeministri, Starmer dhe kryeministri Edi Rama kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët për mediat. Në deklaratën e përbashkët u prek çështja e emigratëve shqiptarë në Britani, ku Starmer u shpreh se problemi ka tensionuar jo pak herë raportet mes qeverive, por është tej-kaluar. Kryeministri britanik u ndal edhe tek transferimi i personave të dënuar, ku shprehu dëshirën që shqiptarët të dëbohen në Shqipëri.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer: Përgëzime, urime për fitoren zgjedhore dhe është vërtetë gjë e madhe që jam në Shqipëri. Ecuria jonë e përbashkët dhe progresi në uljen numrit të gomoneve, ka qenë ulje e konsiderueshme dhe kjo është mesazh i qartë i asaj që arrihet kur dy vende punojnë ngushtësisht me njëra tjetrën. Kemi edhe marrëveshjen tonë të përbashkët për transferimin e personave të dënuar. Dëshirojmë që këta të dënuar të vuajnë dëbim në Shqipëri. Kemi mbështetur të rinjtë që të kenë jetën në Shqipëri. Shqipëria është aleat i fortë i NATO-s dhe partner kyç në luftën e Ukrainës kundër agresionit rus. Fakti që unë, kryeministri i parë britanik që vij në Tiranë në këtë takim dy palësh, duhet të shihet edhe si një deklaratë qëllimi për mënyrën sesi ka krijuar një lloj force marrëdhënia jonë. Nuk dua të bëj komente për kryeministra të mëparshëm të qeverive britanike, por qasja jonë nuk është ajo diplomacia me megafon. Unë nuk dua të bërtas për problemet, po thjesht dua të përvesh mëngët edhe të jem shumë pragmatist dhe t’i zgjidh këto çështje dhe këtë e kemi treguar dhe dëshmuar tashmë. Kjo ka qenë një mënyrë efektive që nga modeli i trafikimit të paligjshëm dhe deri tek bashkëpunimit ushtarak.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama u shpreh se në 2024 ka rënë numri i shqiptarëve të paligjshëm në Angli. Rama e bëri edhe një herë të qartë se një marrëveshje me emigrantë s’do të ketë me asnjë vend tjetër veç Italisë. Kreu i qeverisë theksoi se në fokus të bisedimeve mes tyre, kanë qenë edhe shkëmbimet tregtare, duke nënvizuar se duhet ende punë për të shënuar më shumë rritje.
Edi Rama: Është koha për të shqyrtuar një tjetër problem që kemi në Britaninë e Madhe me shumë shqiptarë që kanë arritur dhe janë sistemuar vite më parë dhe të integruar, por në kohën e mbërritjes së tyre kanë përdorur pasaporta ose identitet të Kosovës, me pranimin si refugjat lufte. Dhe ata sot jetojnë me dy identitete, një për shtetin britanik, një këtu në Shqipëri dhe kanë probleme të vazhdueshme që mund t’u jepet zgjidhje duke qenë se janë qytetarë të integruar plotësisht prej më shumë se 20 vitesh dhe janë kontribues në ekonomi dhe jetën shoqërore. Janë 50 mijë shqiptarë me pasaporta britanike që kontribuojnë në shtetin britanik dhe afro 50 mijë të tjerë me pasaporta shqiptare si kontribues të ndershëm dhe të rregullt dhe është e papranueshme për ne që shqiptarët të vazhdojnë të stigmatizohen sikur janë problemi i Britanisë së Madhe. Me kryeministrin kemi folur edhe për shkëmbimet tregtare. Kam qenë shumë i qartë kur nisëm këtë proces me Italinë. Kjo ishte një marrëveshje e vetme me Italinë për shkak të marr sonë të veçantë, por edhe për falë situatës gjeografike që është mjaft kuptimplotë. Dhe për të qenë shumë i sinqertë me ju, na kanë kërkuar një sërë vendesh dhe u kemi thënë jo, sepse i jemi besnik martesës me Italinë dhe pjesa tjetër është thjesht dashuri.