
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Helidon Bushati ka njoftuar tërheqjen nga gara për një mandat të ri në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Lajmin e ka bërë me dije vetë demokrati, i cili ka njoftuar se nuk do të jetë më as drejtuesi politik i qarkut të Shkodrës. Por edhe pse nuk do të kandidojë sërish për deputet, sërish ka lajmëruar se do të ndihmojë Partinë Demokratike për të arritur fitoren në zgjedhjet e ardhshme.
"Do të jem aty ku kam qenë gjithmonë, pranë Partisë Demokratike dhe demokratëve. Koherent në bindjet e mia, i palëkundur në vlerat për të cilat kemi luftuar, dhe plotësisht i angazhuar për ringritjen dhe fitoren që synojmë te gjithe per Partine Demokratike dhe liderin e saj Sali Berisha. Jam i bindur, më shumë se kurrë, se MODERNIZIMI dhe PERBASHKIMI janë çelësi i fitores. Ja kemi borxh fëmijëve tanë, ja kemi borxh historisë! Së bashku drejt fitores!,"-shkruan ndër të tjera Bushati.
POSTIMI I PLOTË:
Të dashur miq, Partia Demokratike është përballë sfidave të mëdha. Kjo forcë politike ja doli të kapërcejë momente të vështira që e vunë deri në provën e ekzistencës. Sot demokratët janë të bashkuar dhe po bëhen gati për zgjedhjet jetike për vendin, ato të 11 Majit. Përveçse për angazhim, koha është dhe për reflektim. Së shpejti, Partia Demokratike do të hyjë në një proces të rëndësishëm, atë të primareve. Personalisht, kam zgjedhur të mos mos marr pjese ne primaret dhe si rrjedhoje heq dore nga aspirata per te qene kandidat per deputet, Ky nuk është thjesht një vendim personal, është një akt përgjegjësie politike dhe morale.
Gjithsesi, ky vendim nuk do të thotë tërheqje nga rrugëtimi ynë i përbashkët. Përkundrazi, do të jem aty ku kam qenë gjithmonë, pranë Partisë Demokratike dhe demokratëve. Koherent në bindjet e mia, i palëkundur në vlerat për të cilat kemi luftuar, dhe plotësisht i angazhuar për ringritjen dhe fitoren që synojmë te gjithe per Partine Demokratike dhe liderin e saj Sali Berisha. Jam i bindur, më shumë se kurrë, se MODERNIZIMI dhe PERBASHKIMI janë çelësi i fitores. Ja kemi borxh fëmijëve tanë, ja kemi borxh historisë! Së bashku drejt fitores!
Ndërkohë që nga kampi socialist ka shumë figura që e kanë lajmëruar se nuk do të kërkojnë një mandat tjetër, nga demokratët Bushati është i pari./ZËRI