
TIRANË- Një konfrontim fizik ka ndodhur sot në Kuvendin e Shqipërisë. Përplasja e ashpër ka ndodhur mes deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe deputetit të pavarur, Agron Shehaj. Teksa ky i fundit mbante prej orësh të bllokuar Foltoren e Kuvendit, në një moment, Noka ka shkuar dhe ka kërkuar që të mbajë fjalën nga vendi ku ishte vendosur Shehaj. Këtë të fundit, Noka e shtyu dhe mori fjalën. Përplasja u bë edhe më e ashpër, kur Noka del nga foltorja, i merr telefonin Shehajt dhe ia hedh në tokë. Ndërsa nga salla, Xhelal Mziu zgjodhi që ta lagte me ujë atë që dikur ishte kolegu i tij brenda Partisë Demokratike. Në këto kushte, Garda tentoi që ta nxirrte forcërisht nga salla.
DEBATI MES TYRE:
Spiropali: Boll me teatër tani! Hajde Agron tani lëviz. Largohu se je i përjashtuar nga seanca
Noka: Tani...Largohu mos më detyro të flas më shumë, je bërë klouni i Erion Veliajt këtu. Hapuni çuna, nuk ka nevojë këtu. Hapu se nuk iu ka thirr kush... Mu hiq qafe, ik se s'po flas. Mu hiq, mu hiq. Mu hiq se po flas, o Agron mu hiq.
Spiropali: Largohu nga Foltorja boll e bëre teatrin sot.
Noka: Kur të them mu largo, mu largo.
MOMENTI ME VIDEO:
Pas ngjarjes në sallë, jashtë Kuvendit Agron Shehaj ka njoftuar ndarjen përfundimtare me Partinë Demokratike! Shehaj pranoi se ka pasur komunikime me PD-në, por pas ditës së sotme gjithçka zerohet.
“Garda e komanduar nga Edi Rama, e komanduar nga kryetarja e Kuvendit e lejoi që kjo të ndodhte në Kuvendin e Shqipërisë. Lejoi që një deputet i opozitës që donte të merrte fjalën për vjedhjen që i ishin bërë shqiptarëve, për një aferë 1.3 mld euro të dhunohej brenda në Kuvendin e Shqipërisë. Shqiptarët e gjykojnë vetë. Kur bën një opozitë të vërtetë, kur flet për një vjedhje, të gjithë bëhen bashkë për të ndaluar dhe penguar që kjo gjë të ndodhë edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Kisha një raport me PD-në që fatkeqësisht u prish sepse nuk ishin dakord që unë të bëja një opozitë të vërtetë. Në momentin që vendosin që për skandalin 1.3 miliardë euro nuk duhet folët, rrugët tona këtu ndahen. Ajo që për 3 orë rresht nuk e bëri as Rama as Garda, asnjë maxhorancë tjetër në këto 33 vjet, e bëri një përfaqësues i opozitës që largoi me dhunë një tjetër përfaqësues të opozitës,"- tha Agron Shehaj.
Por teksa Shehaj ka folur për atë që ndodhi në Foltore, nga ana e demokratëve nuk ka pasur asnjë reagim./ZËRI