
TIRANË- Vota e emigrantëve në diasporë është diskutuar sërish sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sot, Komisioni Rregullator dakortësoi propozimin e bërë nga Shoqata e Diasporës që çdo emigrant që jeton jashtë të pajiset me fletën e votimit edhe duke paraqitur vetëm një dokument që verifikon adresën e banimit. Kështu, emigrantët nuk do të kufizohen vetëm duke paraqitur dokumentin që vërteton pronësinë e shtëpisë, apo kontratën e qirasë. Për ta mjafton që të ngarkojnë online në faqen e dedikuar për diasporën në KQZ, një dokument që të provojnë se ku e kanë vendin e banimit dhe të kërkojnë fletën e votimit.
Sipas këtij vendimi, gjatë paraqitjes së kërkesës së tij për regjistrim në listën e zgjedhësve jashtë vendit sipas rregullave të miratuara nga Komisioni Rregullator, zgjedhësi ngarkon në platformën elektronike të regjistrimit të paktën një nga dokumentet e listuara që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë:
1. Certifikatë pronësie ose dokument ekuivalent në shtetin e rezidencës, që provon pronësinë e banesës;
2. Dokument që provon rezidencën në shtetin e huaj i lëshuar nga autoritetet përkatëse;
Kontratë qiraje ose huapërdorje të banesës;
Dokumente bankare (kontratë kredie/vërtetim bankar etj.) që përmban adresën e banimit;
5. Kontratë furnizimi ose faturë të furnizimit me ujë në banesë;
6. Kontratë furnizimi ose faturë të energjisë gaz ose elektrike në banesë;
7. Kontratë ose faturë të abonimit të shërbimit digjital të transmetimeve audiovizive;
8. Kontratë ose faturë të shërbimit të internetit të telefonisë fikse në banesë;
9. Dokument i lëshuar nga organi kompetent i shtetit ku ka vendbanimin i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësve në një institucion shëndetësor, kamp emigracioni apo tjetër të ngjashëm;
10. Dokument pronësie ose ekuivalent i lëshuar në shtetin e rezidencës që provon pronësinë e banesës;
11. Leje drejtimi automjeti (patentë) në rastet kur shënohet adresa e banimit;
12. Ose çdo dokument tjetër të lëshuar në shtetin e huaj që provon qëndrimin e shtetasit shqiptar në adresën e deklaruar jashtë vendit.
Nga ana tjetër, PD propozoi që në projektvendim të shtohet edhe një pikë tjetër që garanton monitorimin e këtyre dokumentacioneve.
Po ashtu, Komisioni Rregullator miratoi edhe kufizimin e numrit të shtetasve që kanë të drejtë të aplikojnë vetëm nga një adresë. Aktualisht, numri i shtetasve shqiptarë të regjistruar në të njëjtën adresë që aplikojnë në platformën elektronike të regjistrimit nuk mund të jetë më shumë se 6 persona.
Vota e diasporës do implementohet për herë të parë këto zgjedhjeve. "Vullneti" i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit do të kushtojë 250 milionë lekë. Qeveria ka vendosur t’i japë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 2.5 milionë euro shtesë vetëm për projektin e regjistrimit të zgjedhësve në diasporë. KQZ-ja dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë./ZËRI