Politikë

Vota e parë e diasporës i shkon...Dibrës! KQZ zbulon detaje për procesin: Zarfet po kthehen pas!

Për votuesin e parë ka pasur një reagim edhe nga kryeministri Edi Rama.

k.m.
Vota e parë e diasporës i shkon...Dibrës! KQZ zbulon detaje
Ilirjan Celibashi

TIRANË- Shënohet votuesi i parë në diasporë. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediat bëri me dije se vota e parë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit është "hedhur" në qarkun e Dibrës. I pari shqiptar, nga Dibra, i cili jeton në Gjermani ka marrë zarfin dhe e ka dërguar mbrapsht në Shqipëri. Por edhe pse i pari nuk është i vetmi! 

Celibashi shtoi se deri më tani, kanë votuar 111 persona, zarfet e të cilëve janë tërhequr nga posta DHL.

“Votuesi i parë, të cilit i ka mbërritur zarfi, ka qenë nga qarku i Dibrës, jeton në Gjermani. Janë në mbërritje, 111 zarfa, janë 111 votues dhe është tërhequr ky zarf nga DHL. Votimi nga jashtë, pra votimi i zgjedhësve shqiptarë, tashmë po konsiderohet i kryer. Është rasti për të falenderuar ata të cilët u morën me këtë proces,”- theksoi ai ndër të tjera.

Për votuesin e parë ka pasur një reagim edhe nga kryeministri Edi Rama. Ky i fundit ndau një foto të një familjeje emigrantësh, që kanë votuar për zgjedhjet e 11 majit. 

Vota e parë e diasporës i shkon...Dibrës! KQZ zbulon detaje
Fotoja e shpërndarë nga Rama

"Sa prekëse e njëkohësisht frymëzuese kjo foto kaq simbolike e një familjeje shqiptarësh të Europës, për përpjekjen tonë të përbashkët për Shqipërinë 2030. Faleminderit me mirënjohje dhe ju’a shpërblefsha me pasaportën europiane të Shqipërisë e me një Shqipëri zonjë në Bashkimin Europian, e cila për çunin e vogël dhe bashkëmoshatarët e tij të mos jetë më kurrë një vend banorësh të dorës së dytë të Europës,"- shkruan kryeministri.

Por sërish duket se ka shumë punë. Celibashi bëri me dije se deri tani janë dërguar rreth 90 mijë zarfe, që përfaqësojnë mbi 36.3% të numrit të përgjithshëm të votuesëve që janë regjistruar për të votuar. Numri më i madh i zarfeve është dërguar në Itali, Greqi dhe në Gjermani, ndërsa askush nuk do të votojë nga Rusia dhe nga Irani. 

“Kemi nisur sot përgatitjet për dërgimin e fletëve të votimit për votuesit në qarkun Korçë dhe Lezhë, ndërsa në pjesën e dytë të ditës nisim edhe për qarkun Tiranë,”-shtoi kryekomisioneri.

Ndonëse 17 prilli ishte caktuar si afati fillestar i vendosur për shpërndarjen e fletëve të votimit, për emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit e që do të votojnë më 11 maj, kreu i KQZ thotë se ky afat mund të shtyhet, duke shtuar se ndryshimi i afateve nuk e rrezikon votën e diasporës. 

“Fletët e votimit nga sistemi DHL do të vijnë direkt në parkun olimpik nuk do shkojnë në KQZ. Këtu do bëhet gjithë procesi administrativ. Kutitë që do administrojnë fletët që do vijnë nga jashtë do të jenë këtu. Nuk do e përfundojmë dot në datë 17 procesin, për shkak të ngarkesës së shtuar në kontrollin e procesit të përgatitjes së zarfeve. Kemi shtuar ne por edhe DHL një fazë tjetër kontrolli, kjo na con në shtyrje, por nuk e rrezikon procesin si të dërgimit të fletës, edhe të votimit dhe kthimit pas të saj. Brenda kësaj java pretendojmë ta përfundojmë dërgimin e fletës së votimit,”-tha Celibashi ndër të tjera. Po ashtu, diskutoi edhe lidhur me sigurinë se vota do të jetë e fshehtë. 

Celibashi: Në momentin që fleta është në sistemin e DHL dhe KQZ, garantoj 100% ruajtjen e fshehtësisë, kjo garantohet plotësisht nga ne. Nëse votuesit duan ta shesin, blejnë apo tregojnë, është çështje e tyre. Do të thotë se kanë llogaritur edhe pasojat penale. Nëse një fenomen i tillë ndodh, ai shoqërohet me sanksione penale të rënda, deri në 3, 4 apo 5 vite burgim.

Në total janë 245,975 shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, të cilët do të ushtrojnë të drejtën e votës. Për herë të parë, emigrantët do të votojnë me postë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 maj./ZËRI

Poll

MOS HUMB