TIRANË-Vrasja e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes mëngjesin e 18 gushtit në Ksamil, ka nxjerrë në pah shumë probleme dhe shkelje për mënyrën se si është ngritur dhe ka funksionuar aktiviteti i biznesit Principote. Teksa në Shqipëri, pronari Bekim Bulica është shpallur në kërkim nga autoritetet dhe denoncimet për trafik droge, pastrim parash dhe ndërtim në tokë të vjedhur e ndjekin në vendin tonë, problemet kanë kaluar kufirin.
Edhe vetë emri i plazhit luksoz është i vjedhur. "Principote" Mykonos në Greqi ka reaguar lidhur me ngjarjen që tronditi opinionin publik në Shqipëri, duke deklaruar se vendi në Ksamil po përdor emrin Principote pa autorizim dhe theksoi se nuk ka asnjë marrëdhënie biznesi apo pronësie me të. Sipas tyre biznesi në Ksamil ka përdorur ilegalisht emrin e tyre, ndërsa thekson se kanë ndërmarrë veprime ligjore. Kjo me qëllim ndalimin e përdorimit të emrit dhe shmangien e asaj që e konsiderojnë konkurrencë të padrejtë, raporton Protothema.
"Në dritën e një incidenti tragjik që ndodhi së fundmi në qytetin shqiptar të Ksamilit dhe në një biznes që po përdor ilegalisht emrin tonë të biznesit, sqarojmë, për të shmangur konfuzionin, se PRINCIPOTE MYKONOS nuk ka absolutisht asnjë marrëdhënie biznesi apo tjetër me lokalin e mësipërm shqiptar, i cili po përdor ilegalisht emrin tonë dhe kundër të cilit kemi ndërmarrë veprime ligjore, me qëllim që ta ndalojmë atë të përfshihet në konkurrencë të padrejtë në dëmin tonë, duke ‘korrur’ ilegalisht reputacionin ndërkombëtar që PRINCIPOTE MYKONOS ka fituar gjatë shumë viteve të ofrimit të shërbimeve të nivelit më të lartë", thuhet në reagimin e ‘Principote’ Mykonos.